Bashkëshortja e Hashim Thaçit dhe vëllezërit e tij, kanë vizituar ish-presidentin në zyrat e EULEX-it, ku ai po vazhdon të qëndrojë.
Pas takimit vëllezërit e tij thanë se ai është mirë me shëndet, por që e kanë të ndaluar të flasin më gjatë. Kjo është hera e parë që Thaçi qëndroi kaq gjatë në EULEX, që nga paraburgimi i tij në vitin 2020.
Ndërkohë, para EULEX-it vazhdojnë të qëndrojnë qytetarë të cilët po mbajnë në duar pankarta të ndryshme në shenjë mbështetjeje për ish-presidentin.
Thaçi dje ka qëndruar në vendlindjen e tij në Burojë të Skenderajt, ku ka bërë homazhe të varri i babait të tij, si dhe ka qëndruar për disa orë në shtëpinë e tij, ku është takuar me nënën dhe bashkëshorten e tij. Ai më pas është ndërguar në zyrat e EULEX—it në Prishtinë, dhe nuk dihet ende se kur do të largohet për në Hagë.
Gjykata Speciale nuk i dha leje Thaçit të marrë pjesë në varrimin e babait të vet, të martën më 18 mars.
Thaçi po përballet me një proces të tejzgjatur gjyqësor, nën akuzat për krime të pretenduara të luftës.
Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
(A2 Televizion)