
Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka kritikuar politikën e Beogradit, duke thënë se Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë për luftërat e viteve ’90 në Bosnje e Hercegovinë, Kroaci dhe Kosovë.
Në një intervistë për N1 BeH, Biserko theksoi se autoritetet serbe relativizojnë krimet e së kaluarës dhe mohojnë çdo rol në destabilizimin e shteteve fqinje. Ajo theksoi se projekti nacionalist i njohur si “bota serbe” nuk është braktisur, por vetëm përshtatet sipas rrethanave politike në rajon.
Sipas Biserkos, presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka hequr dorë nga Kosova, por vazhdon ta përdorë këtë çështje për të mobilizuar opinionin publik dhe për qëllime politike të brendshme.
Ajo gjithashtu theksoi se marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kroacisë mbeten të tensionuara, me Beogradin që vazhdon ta akuzojë Kroacinë dhe të përdorë narrativën historike për të mbajtur gjallë tensionet.
Biserko paralajmëroi se ky qëndrim i Beogradit ka ndikim direkt në stabilitetin e gjithë Ballkanit Perëndimor. (A2 Televizion)