Kamerat e sigurisë dhe një vendas që i kishte dhënë ujë në LLozhnicë. Këto dy faktorë çuan në zbulimin e lokacionit dhe më pas në vrasjen e Faton Hajrizit, që i mori jetën një efektivi dhe plagosi një tjetër në Serbi. Detajet i bëri të ditura ministri i brendshëm serb, Ivica Daçiç, por pa e përmendur me emër atë, duke konfirmuar se në momentet e fundit pati një përleshje me armë zjarri.
“Kur ka ardhur policia ai ka nisur të qëllojë. Policia ka gjuajtur dy të shtëna dhe ai ka nisur të vrapojë, e më pas ka gjuajtur nëntë plumba. Policët e vranë pasi nuk kishte ndërmend që të dorëzohej. Ai është kriminel mizor dhe i pabesë. Kjo ishte vrasja e pestë apo të gjashtë që ka kryer. Ky është një rast ndërkombëtar, kështu që ne jo vetëm që kemi zgjidhur çështjen e terrorizmit shqiptar në territorin e Serbisë, por edhe të vendeve të ndryshme në afërsi”, tha Ivica Daçiç, Ministër i Brendshëm i Serbisë.
Vrasja e Hajrizit ndodhi pranë një lumi në afërsi të kufirit të Serbisë me Bosnje dhe Hercegovinën. Daçiç tha se synimi i autorit të vrasjes së policit ishte të kalonte në anën tjetër, madje ishte ndihmuar dhe nga një çift serbësh, të cilët janë arrestuar. Mes të ndaluarve është edhe një shofer, shqiptar i Kosovës, i cili sipas autoriteteve serbe, e kishte transportuar nga Presheva për në Llozhnicë. Por Daçiç kërkon dhe ekstradimin e të vëllait, Artan Hajrizi, nga Gjermania.
“Historia se vëllai i tij i vodhi dokumentet është gënjeshtër. Pse u kthye nëse ishte në Gjermani. Ai ia dërgoi dokumentet dhe ai është bashkëpunëtor. Ne nuk do të tregojmë mëshirë për askënd, veçanërisht për ata që nuk janë të kombësisë serbe”, shtoi Daçiç.
Ministri serb tregoi dhe armën, me të cilën Faton Hajrizi vrau policin dhe plagosi një tjetër. Mediat në Beograd kanë publikuar imazhe të saj, duke pretenduar që në njërën anë kishte të gdhendur emblemën e UÇK-së. (A2 Televizion)