Ndalimi i veteranit të UÇK me urdhrin serb! Kosova në komunikim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut

Nga A2 CNN
18 Korrik 2024, 20:25 | Aktualitet

Pas Serbisë, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë më të sigurt as në Maqedoni të Veriut. Policia e shteti fqinj konfirmoi arrestimin e shtetasit të Kosovës, Blerim Ramadani, me kërkesë të autoriteteve të Beogradit në bazë të një urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia.

Ministria e Jashtme e qeverisë së Prishtinës konfirmoi ndalimin e tij duke sqaruar se bëhet fjalë për ish-anëtarin e Zonës Operative të Nerodimes të UÇK-së. Arrestimi i Ramadanit, 47 vjeç, u bë në pikën e kalimit kufitar Jaznicë-Gllobqicë, që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, ndërsa njoftohet se po mbahet në Tetovë për veprime të mëtejshme. Ambasada e Kosovës në Shkup konfirmon se po angazhohet për lirimin e tij. Vetë kryeministri Albin Kurti ka komentuar këtë zhvillim.

“Ministria e Drejtësisë dhe autoritet tona janë në komunikim me qeverinë e Maqedonisë së Veriut me sektorët përkatës në mënyrë që të marrim vesh më shumë për shtetasin e Kosovës i cili po mbahet në paraburgim aje që të mos ketë nënshtrim ndaj agresivitetit të Serbisë kundër Kosovës që reflektohet edhe në fleta-rreste të tilla për qytetarët tonë”, tha Kurti.

E gjithë kjo është pjesë e një fushate agresive të nisur nga Serbia muaj më parë. Katër shtetas të Kosovës janë arrestuar nga policia serbe pasi kaluan kufirin, me pretendime dhe akuza për krime lufte. Ministria e Drejtësisë në Prishtinë ka dërguar një letër në drejtim të ministrisë homologe në Beograd për të kërkuar lirimin e tyre, por nuk ka shpresa që të mbërrijë një përgjigje. Kosova ka kërkuar dhe ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për lirimin e të arrestuarve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos