S’mund të rekrutojnë të tjerë! Pesë ministri paguan mbi 839 mijë euro paga për serbët që lanë punën

Nga Ideal Gola
18 Korrik 2024, 20:32 | Aktualitet

Pesë ministri kanë shpenzuar mbi 839 mijë euro gjatë vitit të kaluar për të paguar 147 serbë të cilët janë të angazhuar në institucionet publike të Republikës së Kosovës sipas marrëveshjes së Brukselit të cilët nuk kanë vijuar punën dhe nuk kanë zhvilluar aktivitete në kuadër të këtyre ministrive.

Ministria e Infrastrukturës ka numrin më të lartë të të këtyre punësuarve, 62, e rrjedhimisht edhe shpenzimet më të mëdha për paga mbi 398 mijë euro.

Pastaj vijnë Ministria e Tregtisë dhe Industrisë me 25 punonjës, Ministria për Komunitete dhe Kthim 20, aq sa ka edhe ajo e Punëve të Brendshme. Edhe Ministria e Kulturës kishte 20 punonjës por që pagat për këta zyrtarë që nuk shkonin në punë i pezulloi në muajin tetor.

GRAFIKË:

Nr. Ministritë     Nr. i të punësuarve         Vlera totale

1              Ministria e Infrastrukturës           62           398,164 euro

2              Ministria e Tregtisë dhe Industrisë           25           133,636 euro

3              Ministria për Komunitete dhe Kthim       20           108,799 euro

4              Ministria e Punëve të Brendshme            20           108,794 euro

5              Ministria e Kulturës*      20           90,025 euro

 

TOTALI  147         839,418

*Pezulloi pagat për serbët që nuk shkonin në punë në tetor 2023.

“Faktikisht në vitin 2023 e kemi një numër prej 147 të punësuarve që janë paguar pa vijueshmëri në punë në vlerë prej 839 mijë e 418 euro. Ndërsa në vitin 2023 nga tetori, Ministria e Kulturës i ka suspenduar pagesat e tilla sepse sipas auditimit ato janëv lerësuar si pagesa të parregullta”, tha Zukë Zuka, Ndihmës Auditor i Përgjithshëm.

Përpos që nuk shkojnë në punë, këta zyrtarë kanë aktemërime gjë që ua pamundëson institucioneve që të rekrutojnë njerëz të tjerë për këto pozita.

 “Këto pagesa janë të parregullta, mandej mund të jetë që për ato vende ku është menduar të sistemohen këta punëtorë këto vende kanë mbetur bosh, nuk mund të rekrutohen punëtorë të tjerë derisa këto kanë aktemërime të tilla”, shtoi Zuka.

Rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit janë për ministrisë që t’ju krijohen kushtet fizike që të punësuarit të kthehen në punë, pasi në asnjë rast punonjësit nuk kanë deklaruar se nuk duan të vijojnë punën.

“Rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit janë që të krijohen kushtet për këta të punësuar dhe të angazhohen dhe të sistemohen dhe të monitorohen siç e parashohin ligjet, rregullat dhe udhëzimet administrative. Në bazë të diskutimeve që kemi pasur me ministrisë përkatëse nuk ka pasur deklarime nga ana e punonjësit që nuk ka shprehur gatishmëri të shkojë në punë”, tha ai.

Institucionet qendrore në vitin 2021 kishin shpenzuar mbi 962 mijë euro për 199 punonjës që nuk kishin vijuar punën, ndërsa në vitin 2022 rreth 793 mijë euro. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos