Vrasja e policit, autori në arrati, Serbia vë nuanca etnike: Shqiptari kreu akt terrorist, jo rastësi

Nga A2 CNN
18 Korrik 2024, 20:20 | Aktualitet

Autoritetet në Serbi njoftuan të enjten se një pjesëtar i policisë është vrarë dhe një tjetër është plagosur gjatë natës në Lloznicë, në perëndim të Serbisë, pranë kufirit me Bosnjën e Hercegovinën. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, e konsideroi ngjarjen një akt terrorist të kryer nga një shqiptar, duke i vendosur kështu nuanca etnike.

Në të njëjtën linjë edhe ministri i Brendshëm serb Ivica Daçiç. “Ishte sulm terrorist nga strukturat shqiptare në rajonin e Kosovës”, pretendoi ai duke shtuar se kjo vrasje, sipas tij, nuk është e rastësishme. Daçiç bëri të ditur se në vendin e ngjarjes u zbulua pasaporta e shtetasit të Kosovës, Artan Hajziri. Por ky i fundit mohoi të jetë përfshirë në këtë vrasje dhe zbuloi për media në Kosovë që aktualisht po qëndron në Gjermani dhe se vëllai, Faton Hajziri, i kishte vjedhur mjetet e identifikimit.

Daçiç nuk e pranoi këtë fakt dhe njoftoi se në kërkim të autorit të vrasjes janë vënë 150 anëtarë të policisë, antiterrorit, xhandarmërisë, dhe njësi të tjera, gjithashtu edhe mjete të ndryshme, përfshirë helikopterë. Ministri serb konfirmoi se në territorin e Bosnje dhe Hercegovinës është arrestuar një person, që dyshohet të jetë shoferi që ka ndihmuar autorin e vrasjes së arratiset. Daçiç tha se vrasja ndodhi teksa policia ndaloi një makinë me targa të qytetit të Tutinit në jug të Serbisë, ku ndodheshin dy persona.

Njëri nga udhëtarët nuk iu bind urdhrit të policisë për të hapur një çantë që mbante në krah dhe qëlloi me armë mbi pjesëtarët e policisë serbe. Sakaq, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se organet e sigurisë në Kosovë po grumbullojnë informacione ndërsa bëri thirrje që rasti të mos politizohet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos