SHBA e lidh anëtarësimin e Kosovës në Partneritetin për Paqe me përparimin në dialogun me Serbinë.
Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith tha se do të dëshironin që Kosova të bëhej pjesë e këtij programi të aleancës, por ajo duhet që fillimisht të shënojë përparim në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian, raporton A2.
Partneriteti për Paqe është një program i NATO-s, i cili synon krijimin e besimit midis shteteve anëtare dhe shteteve të tjera në Evropë.
“Ne, gjithsesi, e vlerësojmë programin e Partneritetit për Paqe. Jemi të kënaqur që kemi parë interes të madh nga Kosova për t’iu bashkuar Partneritetit për Paqe. Por mendoj se miqtë tanë në Kosovë i kanë dëgjuar thirrjet tona të zëshme dhe të qarta. Ne duam që ata të vazhdojnë të investojnë në dialogun e lehtësuar nga Bashkimi Evropian“, ishin fjalët e ambasadores amerikane. (A2 Televizion)