Duncan: S’kam pasur asnjë dëshmi që ekzistonte shtabi i përgjithshëm i UÇK-së

Nga A2 CNN
22 Shtator 2025, 16:36 | Aktualitet

Duncan: S’kam pasur asnjë dëshmi që ekzistonte shtabi i

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë është duke dëshmuar ish-diplomati britanik, John Stewart Duncan, i thirrur nga mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i akuzuar për krime lufte.

Në fund të viteve '90, Duncan ishte këshilltar politik i ish-komandantit suprem të Forcave Aleate të NATO-s, Wesley Clark, i cili udhëhoqi fushatën ajrore të NATO-s kundër caqeve ushtarake serbe, më 1999.

Sipas Duncan, UÇK-ja nuk kishte një hierarki nga lartë-poshtë, por e përshkroi si forcë guerile, ku personat kishin tituj që nuk përkonin me realitetin.

Ai u pyet nga avokati i Kadri Veselit, Rodney Dixon, nëse Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së ishte një organ i mirëfilltë që komandonte këtë organizatë.

“Unë kam dëgjuar të përmendet Shtabi i Përgjithshëm, por këtë në deklarata politike kryesisht. Nga aktakuza kam kuptuar se është krijuar në mes të viteve '90 kur UÇK-ja ishte një organizatë tejet e ndryshme, shumë më e vogël dhe po dëshironin t’i jepnin një titull grandioz vetes si Shtabi i Përgjithshëm. Por, në kohën sa kam qenë atje, nuk kam pasur asnjë dëshmi që ekziston një shtab i përgjithshëm nga pikëpamja ushtarake”, tha ai.

Në fillim të dëshmisë, mbrojtja e pyeti nëse ka mbuluar edhe punën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë veprimtarisë së tij - në çka ai u përgjigj me 'po'.

Ai tha se UÇK-ja - udhëheqës politik i së cilës ishte Thaçi - kishte përbërje heterogjene, "me njerëz me përvoja dhe motive të ndryshme".

"Ne e quanim atë 'ushtria e atyre që nuk kishin asgjë'. Aspiratat e tyre nuk ishin të njëjta. Motivi i tyre nuk ishte i njëjtë".

"Kur filloi të përshkallëzohej spastrimi etnik, përbërja e pjesëtarëve kryesorë ishte shumë e larmishme: kishte ish-ushtarë të Armatës jugosllave, juristë, mjekë, gazetarë dhe njerëz të tjerë, disa me familje të keqtrajtuara. Arsyeja që morën armët, ndryshonte nga personi në person", rrëfeu Duncan.

Ai nënvizoi se UÇK-ja nuk kishte hierarki dhe se fuqinë reale të saj e kishin komandantët e zonave.

"Kjo ishte vështirësia me të cilën përballeshim atje", tha Duncan, sepse "nuk kishin strukturë hierarkike - ishin të organizuar ndryshe".

Sipas tij, udhëheqja politike e UÇK-s, përfshirë edhe Thaçin, shpesh nuk ishte në gjendje t’i bindte ushtarët për vendime të rëndësishme, siç ishte çarmatosja.

Ai tha se roli i Thaçit nuk pasqyronte realitetin politik dhe se nuk kishte legjitimitet të plotë në shoqëri.

"Atje kishte disa forca politike si LDK-ja, zoti Rugova e të tjerë", tha Duncan.

I pyetur nga mbrojtja nëse mendon se Thaçi ishte komandant i përgjithshëm i UÇK-së, ose kryekomandant, ai tha 'jo'.

"...sepse mënyra se si silleshin [komandantët] me të gjatë negociatave, ishte e tillë që ata e trajtonin si krah politik, që kishte një lloj ndikimi, por jo si dikush që kishte kompetenca ushtarake".

"Asnjëherë nuk e kam parë [Thaçin] që të jepte direktiva apo urdhra", tha Duncan.

"Ai nuk ishte shumë i angazhuar, siç pres unë të jetë një politikan profesionist", shtoi ai.

Duncan u pyet edhe për marrëdhënien që kishte Thaçi me komandantin e UÇK-së, Agim Çeku.

"Si pjesëtarë të një ekipi - njëri me çështjet ushtarake, tjetri me çështjet politike. Kjo është mënyra se si e kam parë unë. Nuk kam parë ndonjë lloj respekti të madh, secili i kishte përgjegjësitë e veta", u përgjigj ai.

Duncan po ashtu u pyet nga avokatja e Thaçit, Nina Tavakoli, se kush ishte përgjegjës për zbatimin e marrëveshjes për çarmatosje, dhe Duncan u përgjigj se ai ishte Çeku.

Sipas tij, brenda UÇK-së kishte pakënaqësi për procesin e çarmatosjes dhe sipas Duncan, "dukej që Thaçi po e humbiste mbështetjen nga disa komandantë të zonave".

Mbrojtja e pyeti edhe për një deklaratë të Clarkut, se "nuk ekzistojnë fakte që UÇK-ja të ketë qenë pas sulmeve ndaj serbëve, të kryera pas nënshkrimit të marrëveshjes së paqes në qershor të vitit 1999".

Duncan tha se ai e kishte udhëzuar Clarkun që ta bënte këtë deklaratë.

Në pyetjen nëse pikëpamja e Clarkut përputhej me të tijën, Duncan u përgjigj: "po".

Duncan u pyet edhe për dhunën ndaj serbëve dhe nëse Thaçi mund të ndalonte dhunën e shqiptarëve kundër serbëve në verën e vitit 1999.

Ai u përgjigj me “jo”.

“Për shkak se me sa e kuptonim ne nuk ishte dhunë e orkestruar. Ajo që donim që ai të bënte thirrje kosovarëve që të mos bënin një gjë të tillë, të përmbaheshin. Por, bëhej fjalë për sulme hakmarrëse nga oportunistë, kriminelë. Si çdo politikan ai mund të bënte thirrje, por nuk ishte në gjendje të zbatonte për shkak se nuk ishte organizuar nga UÇK-ja mesa kuptonim ne nga informacionet që merrnim dhe nga burimet e zakonshme”, tha Ducan, duke shtuar se Thaçi bëri apel për qetësi. REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos