Punëtorët shëndetësorë që punojnë në sistemin paralel serb në Mitrovicë të Veriut protestuan të premten duke kërkuar nga Qeveria e Kosovës të qëndrojë larg qendrave shëndetësore. Të enjten në mbrëmje policia kishte bërë kontrolle në Qendrën Klinike në Mitrovicë të Veriut pasi informacioneve për armë. Policia më pas është larguar pasi nuk ka gjetur asgjë. Drejtori i kësaj qendre, njëherësh kryetar i Listës Serbe, Zllatan Ellek, kërkoi nga EULEX dhe KFOR të vendosen para institucioneve shëndetësore dhe arsimore. Ellek gjithashtu hodhi poshtë kërkesën për integrimin e sistemit shëndetësor dhe arsimor në institucionet e Kosovës duke thënë se këta dy sektorë janë vija e kuqe për Kurtin.
“Është koha të kalojmë nga fjalët në vepra, dhe të drejtat e të gjithëve janë të qarta, dhe nga këtu po dërgojmë një mesazh se kemi të drejtat tona dhe se nuk do të integrohemi në sistemin e Kosovës. Dilni në zgjedhje më 12 tetor dhe tregoni me stilolapsin tuaj se do t'i kthejmë komunat tona në duart tona. Rroftë sistemi shëndetësor, rrofshin institucionet tona dhe rroftë shteti i Serbisë”, deklaroi Zllatan Ellek nga Lista Serbe
Protesta erdhi edhe pas paralajmërimit të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti se do të punojë së bashku me serbët që shëndetësia dhe arsimi të bëhen pjesë e institucioneve të Kosovës. Përmes një video, Kurti, duke kundërshtuar thirrjet e Listws Serbe se më 12 tetor votohet për çlirim të veriut, tha se kush nuk e respekton ligjin dhe kushtetutshmërinë e Kosovës ose pengon zbatimin e tyre do të përballet me forcën e ligjit.
“Dualizmi i sistemit shëndetësor dhe arsimor nuk është i qëndrueshëm. Është i nevojshëm inkorporimi i tyre dhe unifikimi. Këtë nuk dua ta bëj kundër jush apo pa ju. Gjatë mandatit tonë të ardhshëm, bashkë me të gjithë, përfshirë edhe kryetarët e ardhshëm të komunave, do të punojmë për inkorporimin e shëndetësisë dhe arsimit në një sistem të vetëm”, u shpreh Kurti.
Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka reaguar ndaj deklaratës së Listës Serbe, e cila tha se integrimi i institucioneve të arsimit dhe shëndetësisë nuk ka qenë kurrë pjesë e negociatave apo e ndonjë marrëveshjeje. Ai shkroi në rrjete sociale se kjo nuk është e vërtetë duke kujtuar marrëveshjet e 19 prill 2013 dhe atë të Ohrit më 2023 ku flitet edhe për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Interpretime të tilla të paqarta të dokumenteve që janë detyruese ndërkombëtarisht vetëm sa rrisin tensionet në një kohë tashmë të ndjeshme, përpara zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, ku komuniteti lokal serb pritet të zgjedh përfaqësuesit e tyre. Do të bëja thirrje që të gjithë të përmbahen nga dhënia e deklaratave të tilla arbitrare, dhe mund të thuhet edhe me qëllim të keq, të cilat mund të dëmtojnë proceset demokratike siç janë zgjedhjet e ardhshme”, tha ambasador i Gjermanisë në Kosovë Jorn Rohde.
Bashkësia ndërkombëtare në vazhdimësi ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që integrimi i serbëve në institucione dhe mbyllja e strukturave paralele të bëhet në konsultim me serbët. (A2 Televizion)