SHBA nuk e do Kurtin në krye të Kosovës? Çejku: Ka një ngërç shumë të madh

Nga A2 CNN
19 Shtator 2025, 22:01 | Aktualitet

Diplomati, Arben Çejku komentoi në “Çdo Kënd” me Merita Haklajn, në A2 CNN, raportet e ngrira mes Kosovës dhe Amerikës dhe rolin e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, në përkeqësimin e kësaj marrëdhënieje dypalëshe.

Ai u shpreh se në tre administrata radhazi nuk është arritur që amerikanët të ndërtojnë me Kurtin një marrëdhënie bashkëpunuese dhe sipas Çejkut kjo lidhet me backgroundin e shefit të qeverisë në Prishtinë dhe strategjinë e tij politike për Kosovën.

“Më në fund e bënë të qartë. Janë gati tre administrata të themi., Trump 1, Biden dhe Trump 2, që nuk po arrijnë dot të vendosin një marrëdhënie bashkëpunues me kryeministrin e Kosovës, zotin Kurti, personalisht. Tani nëse disa zyrtarë kanë qenë të painformuar, siç tha zoti Kurti, për ish-Sekretarin Blinken, apo çështje të tjera, tani i bie që jo të gjithë janë të painformuar, të keqkuptuar dhe që kanë marrëdhënie specifike me Serbinë, siç u anatemuan disa diplomat të DASH. Ky reagim tregon që këtu ka një ngërç, një problem të madh. Nuk është thjesht - një aspekt mund të jetë qasja e Kurtit ndaj Gjykatës Kushtetuese - por unë mendoj se është strategjia politike dhe vijueshmëria e zotit Kurtit dhe ajo se çfarë ai ka ndërmend të bëjë në vitet në vijim si udhëheqës i Kosovës. Dhe kjo i dëmton më tepër raportet mes Kosovës dhe SHBA. Fakti që Kurti thotë se ne kemi disa dallime, tregon se njëri ka një rrugë dhe tjetri ka një rrugë tjetër. Ky është dallimi dhe kjo e thellon konfliktualitetin mes Kosovës dhe SHBA-ve”, tha Çejku në “Çdo Kënd” me Merita Haklajn, në A2 CNN.

Ai më tej bëri apel që klasa politike në Kosovë të bëhet gjakftohtë dhe “të kuptojnë se partneriteti me SHBA-të është priza dhe korrenti ku mbahet Kosova”.

Ndërkohë, analisti Mentor Nazarko mendon se ky "është momenti më i keq i Kosovës si shtet i pavarur".

“Izolimit që vjen nga Bashkimi Evropian i bashkangjitet edhe ky nga SHBA-të. Izolimi strategjik është i qartë. Është produkt i një vijueshmërie problemesh mes Kosovës dhe SHBA-së. Kjo e bën më problematike sepse nuk është vetëm për shkak të një administrate të re me qasje të ndryshme, por janë dy administrate”, deklaroi Nazarko.

“Duket që shpërthimi amerikan erdhi pas qëndrimit për Gjykatën Kushtetuese, por mund të ketë pasur edhe momente të tjera. Ka patur edhe precedent tjetër, ka pasur moment të ngjashëm edhe me qeverinë Haradinaj, që refuzonte të hiqte taksën 100% me Serbinë. Por, vetë kishte marrëdhënie shumë të mira me Departamentin e Mbrojtjes dhe ai moment u kapërcye. Tani nuk shoh zgjidhje dhe kjo e bën më problematike situatën”, theksoi më tej Nazarko.

Nga ana e tij, Altin Gjeta, ekspert i çështjeve ndërkombëtare, u shpreh: “Kosova është një “bebe” e SHBA-së dhe në këtë kuptim, varësia e saj ndaj SHBA-së është jetike. Sepse Kosova ende nuk është njohur universalisht dhe nuk është e anëtarësuar në organizata të rëndësishme. SHBA-të e shikojnë Kosovën si rastin e vetëm të suksesshëm të ndërhyrjes ndërkombëtare. Ata nuk janë të gatshëm të humbin investimin e tyre të madh. Kështu që, faktori politik në Prishtinë duhet të kuptojë që politika amerikane nuk është ajo e viteve ’90, por kërkon të akomodojë Serbinë në Aleancë. Dhe Kosovës që i kanë dhënë shansin të jetë shtet, është diçka unike. Elita politike duhet të kuptojë që duhet të angazhohet në dialog konstruktiv me SHBA-në për të zgjidhur çështjet me Serbinë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos