E premtja afati i fundit, ish-krerët e UÇK përballë vendimit të Apelit

Nga Leonora Kolukaj
27 Nëntor 2026, 17:01 | Aktualitet

Sot është dita e fundit për paraqitjen e njoftimit për apelim në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Megjithatë, ky nuk është afati i fundit për dorëzimin e dosjeve të plota të apelit.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare thotë se procedurat penale në Kosovë dallojnë nga ato të Dhomave të Specializuara në Hagë. Në Kosovë, pas pranimit të vendimit në formë të shkruar, palët në procedurë kanë të drejtë që brenda një muaji të paraqesin ankesat, ndërsa pala tjetër ka të drejtë të parashtrojë përgjigje në ankesë.

“Në rastin e procedurave të cilat janë pranë Dhomave të Specializuara, palët në procedurë me rastin e shpalljes së aktgjykimit, e pranojnë aktgjykimin në formë të shkruar dhe janë disa afate procedurale ku palët duhet ta njoftojnë Apelin se në cilat pika do ta apelojnë vendimin. Pra është njëfarë faze njoftuese. Pasi që të kaloj kjo, më pastaj fillon përgatitja e dosjeve për apelim nga palët në procedura dhe ato janë brenda 60 ditëve”.

Ndërkaq, avokati Ardian Bajraktari vlerëson se përgatitja e ankesave të plota do të jetë një proces kompleks, për shkak të vëllimit të madh të materialit, ndaj nuk e përjashton mundësinë e shtyrjes së afatit.

“Sot mbrojtja duhet të dorëzojë njoftimin, përmes të cilit do të bëhet e qartë se cilat do të jenë pikat kyçe ku pala mbrojtëse do ta apeloj vendimin. Pas kalimit të këtij afati, fillon të rrjedhë afati tjetër shtesë si rregull prej 60 ditësh, por me shumë gjasë mund të ketë edhe shtyrje të këtij afati, bazuar në kompleksitetin dhe vëllimin e madh të materialit”.

Në këtë proces gjyqësor janë katër ish-krerë të UÇK-së që presin vendimin e shkallës së dytë. Sipas avokatit, i gjithë procesi i apelit mund të zgjasë deri në dy vjet.

“Kur po them dy vjet, po nënkuptoj i gjithë procesi përfshirë edhe seancën edhe verdiktin e shkallës së dytë”.

Më 16 shtator 2026, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi u dënuan në shkallë të parë me gjithsej 81 vjet burgim. Mbetet të shihet nëse Gjykata e Apelit do ta vërtetojë, ndryshojë apo shfuqizojë aktgjykimin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos