“Femicidi, urgjencë kombëtare” Protesta në Kosovë, kërkohen ndryshime në Kodin Penal

Nga Leonora Kolukaj
25 Nëntor 2026, 15:50 | Aktualitet

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) organizoi sot protestë me moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”. Protestuesit marshuan nga sheshi “Zahir Pajaziti” drejt objektit të Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar ndryshimin e Kodit Penal dhe njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale.

Aktivistja Zana Hoxha kërkoi gjithashtu krijimin e mekanizmit “Femicide Watch” për monitorimin e rasteve, financim të qëndrueshëm për strehimoret dhe shërbimet për gratë, si dhe zbatim të ligjeve dhe llogaridhënie institucionale.

“Femicidi duhet të njihet si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës. Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet me emërtuar atë vrasje si femicid...E dyta që po e kërkojmë, Kosova duhet të krijoj mekanizmin që në botë njihet si “Femicide Watch”. Kjo i bjen që duhet të monitorohen krejt rastet e vrasjeve të grave”.

Besarta Breznica nga RrGK tha se vrasja e Arlinda Zekajt i shtyn të kërkojnë llogaridhënie nga institucionet për dështimin në parandalimin e këtij rasti.

“Nuk duhet të presim deri në vrasjen e një gruaje për të analizuar se ku ka dështuar sistemi. Institucionet duhet të veprojnë që në raportimin e parë të dhunës, t'i marrin seriozisht kërcënimet, ta vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj".

Adelina Berisha, Drejtore e Programit për adresimin e dhunës ndaj grave në RrgK thotë se Kosova ka legjislacion të avancuar, por ngec në zbatimin e saj.

“Rasti i fundit është mjaft përshkrues, kur institucionet nuk dojnë të veprojnë, kur institucionet e tolerojnë dhunën, nuk ju besojnë grave rasti përfundon me fatalitet dhe femicid. Kjo është thirrja jonë e fundit”.

E protestuesja Shukrie Gashi bënë thirrje se në rastet kur gratë dhunohen e vriten, të dëohen me burgim maksimal.

“Dënimet le të jenë vendime të rënda.Burg të rëndë, në mënyrë që kryesit në raste të tilla sigurisht që do të hamendsoheshin a të ndërmarrin një veprim të tillë apo jo”.

Fadil Presheva tha se iu bashkua protestës rastësisht, duke theksuar se Kosova duhet të punojë më shumë për demokracinë.

“Unë nuk kam pa asnjë ndryshim këtu, përveç anarkisë. Secili bënë çkado e askush nuk përgjigjet për asnjë send”.

Protesta është organizuar në Ditën Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave, e cila shënohet më 25 nëntor. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos