
Pas arrestimit të Festim Bexhdilit, kopshtarit të kompleksit nga ku u zhduk Jan Prenga në Shijak, të dyshuarit si autorë të ngjarjes kanë diskutuar se si mund të shmangnin hetimin e rastit nga SPAK.
“Të japim ndonjë lek, ta heqim nga SPAK-u. Mësoje Festimin të thotë që kam qenë i stresuar dhe se kam folur nga frika”.
I tillë ishte një komunikim i korrikut 2020 në platformën SKY ECC mes Gentian Funiqit e Dritan Rexhepit, i sjellë si provë e re nga SPAK në procesin ndaj tyre dhe 5 të bashkëpandehurve në Gjykatën e Posaçme.
Në një komunikim të mëhershëm, të prillit 2020, të lexuar në sallën e gjyqit nga prokuroria, Altin Hajri i flet Gentian Funiqit për kopshtarin Bexhdili “ishalla ti mbushim mendjen, do përgatit pak ai”. Mes akteve, të pranuara si prova, prokurorët e SPAK pretenduan se bisedat provojnë përfshirjen e të pandehurve në rrëmbimin e zhdukjen e Prengës në janar 2020, si edhe për motivin e saj, diskutimet mbi vjedhjen e një sasie droge të mbërritur nga Ekuadori në Britani.
Sipas prokurorëve të SPAK, të pandehurit kanë folur edhe për mundësinë e rrëmbimit të babait të Ndrej Prengës, personit të akuzuar për vjedhjen, por më pas i rrëmbyen vëllanë Jan Prengën. Në një tjetër komunikim të janarit 2021 Dritan Rexhepi pohonte se “paskan dalë ata çunat që zunë për pengun, kanë mbajtur brenda vetëm atë që kishte fol pak”.
Në seancën e radhës, më 11 dhjetor, avokatët e të pandehurve do të paraqesin kundërshtitë mbi to. (A2 Televizion)