Zgjedhjet amerikane kanë rëndësi të veçantë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Amerika e ka ndihmuar krijimin e shtetit të Kosovës dhe është e interesuar ta mbrojë atë si një projekt historik humanitar dhe strategjik.
Mirëpo mbështetja amerikane për Kosovën mund të ndryshojë në intensitet dhe formë, varësisht nga problemet botërore dhe interesat gjeopolitike të administratës aktuale, apo asaj që do të jetë fituese e zgjedhjeve të 5 nëntorit.
Administrata e ish-presidentit Donald Trump nuk bëri gjë qenësore për Kosovën, përveç njohjes së pavarësisë nga Izraeli. As administrata e presidentit Biden nuk pati ndonjë sukses në zgjidhjen e konfliktit me Serbinë, pavarësisht se njihet si përkrahës i madh i Kosovës dhe kritik i ashpër i krimeve serbe në Bosnje dhe Kosovë, shkruan A2.
Role të ndryshëm dhe veprimi i shpejtë në vendime janë qëndrime të pritshme nëse fiton ish-presidenti Trump.
Kurse analisti Lavdrim Hamiti thotë se duhet të jemi të kujdesshëm që Kosova këtë herë të mos mbajë qëndrim.
Kurse sa i përket dallimeve apo preferencave që ka pasur politika në Kosovë, se kush mund të jetë më mbështetës në interesat e Prishtinës, Hamiti thekson se në të dyja kampet, si demokrat dhe ai republikan, kemi pasur mbështetës të mëdhenj të interesave të shtetit. (A2 Televizion)