Përplasje me Gjuriç në OKB, Gërvalla: Vuçiç s’do dialog, por luftë, bota ta ndalë atë dhe Putinin!

Nga Rosalba Bejdo
30 Tetor 2024, 20:11 | Aktualitet

Ministrat e jashtëm të Kosovës dhe Serbisë u përplasën në sallën e këshillit të sigurimit të OKB, ku u diskutua raporti 6 mujor i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres për misionin e OKB-së në Kosovë.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, tha se serbët e Kosovës po diskriminohen dhe po shtypen nga regjimi i Albin Kurtit, teksa i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të ngrinte zërin ne mbrojtje të tyre.

Gjuriq, po ashtu kërkoi që Kosova të themelojë menjëherë Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, që tha se do të garantonte të drejtat e serbëve, shkruan A2.

“Në dy vjet e gjysmë, situata në Kosovë dhe Metohi është përkeqësuar ndjeshëm, me shkelje të të drejtave të njeriut dhe lëvizje të njëanshme nga regjimi i Albin Kurtit duke krijuar një klimë frike dhe destabiliteti. Sot, unë jam këtu për të detajuar disa nga shkeljet e rënda të regjimit të tij kundër komunitetit serb dhe për të apeluar për veprimin tuaj urgjent dhe vendimtar. Dhe siç do të shohim sot, pyetja e vërtetë me të cilën përballet ky Këshill është a do të qëndrojmë mënjanë ndërkohë që njerëzit e thjeshtë e të pafajshëm vuajnë, apo do të ndërmarrim hapa domethënës për të mbrojtur personat vulnerabël? Që nga kthimi i Albin Kurtit në pushtet, administrata e tij ka intensifikuar sistematikisht masat që synojnë izolimin dhe margjinalizimin e komunitetit serb”, deklaroi Gjuriq.

Por ministrja e Jashtme e Kosovës, Gërvalla i hodhi poshtë si gënjeshtra pretendimet e Serbisë për keqtrajtim të serbëve. Sipas saj Vuçiç nuk do dialog, dhe Asociacioni është vetëm një mënyrë për të jetësuar përpjekjen për të copëtuar Kosovën.

“Më lejoni të sqaroj se nuk ka asnjë vend në botë në këtë glob të quajtur Kosovë dhe Metohia. Është Kosova. Ato që dëgjuam sot këtu, pra se qytetarë te Kosovës nuk do të kenë qasje në kujdesin shëndetësor , banka apo shërbime lokale janë vetëm gënjeshtra.  Realiteti është se shumë qytetarë serbë në komunat veriore të Republikës së Kosovës na thonë se më në fund mund të marrin frymë lirisht dhe pa frikë”, tha Gërvalla.

Ajo paralajmëroi se Putin po kërkon të nxisë një luftë të re në Ballkan, përmes Vuçiçit, dhe se bota duhet ti ndalë, përcjell A2.

Gërvalla po ashtu foli për sulmin e armatosur ndaj Policisë së Kosovës më 24 shtator të vitit 2023 në Banjskë të Zveçanit. Ajo tha se ky ishte vetëm tentimi i parë, siç tha, i Serbisë, ndaj Kosovës, duke paralajmëruar se Vuçiçi “po përgatitet për më shumë”.

“Sulmi i Serbisë i 24 shtatorit të vitit të kaluar u planifikua si invazion ushtarak dhe aneksim i një shteti paqësor që ka mijëra trupa të NATO-s. Për ta bërë të qartë, ai ishte sulmi i parë i aleancës së Putinit kundër një shteti me prani të NATO-s. Është test për Perëndimin, test për më shumë. Dhe Vuçiçi e Putini nuk po heqin dorë. Prandaj, fillimisht na duhet parandalim, e më pas dialog. Vetëm me parandalim, paqja dhe siguria mund të jenë të sigurt”, deklaroi kryediplomatja e Kosovës.

Shefja e misionit të OKB-së në Kosovë, UNMIK, Caroline Zijadeh, përmendi shqetësimin e shprehur nga sektori civil serb, banorët dhe partitë politike lidhur me vendimet për mbylljen e institucioneve serbe ne veri.

Ambasadori rus në OKB, Vasily Nebenzya, kritkoi Kosovën për shkeljen e të drejtave të serbëve dhe, siç tha ai, dhunë ndaj serbëve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos