Falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, Gjykata Themelore e Prishtinës hedh poshtë aktakuzën kundër 8 të pandehurve

Nga A2 CNN
30 Qershor 2025, 16:45 | Aktualitet

Falsifikim dokumentesh dhe pastrim parash, Gjykata Themelore e Prishtinës

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka hedhur poshtë në mungesë të provave një aktakuzë për falsifikim dokumentesh dhe shpëlarje parash kundër Ekrem Llukës, Korab Llukës, Klodian Allajbeut, Igli Larashit dhe Edlira Malajt, si dhe tri kompanive, American Hospital Kosova, Medbrand KS dhe Qendra Kardiale e Kosovës.

Prokurorët i akuzonin ata se kishin shpëlarë para përmes një skeme të falsifikimit të dokumenteve dhe prezantimit të dokumenteve të rrjeshme në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK), me përfitime në vlerë mbi 3 milionë euro, raporton Betimi për Drejtësi.

Prokurorët dyshonin se - Ekrem Lluka, pronar i Qendrës Kardiale të Kosovës bashkë me Korab Llukën, Klodian Allajbeu aksionar dhe përfaqësues ligjor i American Hospital Kosova me Igli Larashin, drejtor ekzekutiv në atë Spital, si dhe pronarja e Medbrand KS, Edlira Malaj – të gjitha këto veprime i kishin bërë “pasi e kishin kuptuar se po hetoheshin” nga ATK-ja dhe prokurorët.

Ata ishin deklaruar të pafajshëm për të gjitha akuzat.

Gjykata tha të hënën se për pikën e parë e aktakuzës për falsifikim të dokumenteve ka arritur afati i parashkrimit, ndërsa për pikën e dytë shpëlarje të parave nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë se të pandehurit kanë kryer veprën në fjalë.

Prokuroria ka kohë 10 ditë për t’u ankuar ndaj këtij vendimi.

Prokuroria e ngriti aktakuzën ndaj tyre në dhjetor 2024, dhe gjykata tha se pas pranimit të aktakuzës e kishte bërë kontrollin zyrtar të saj, dhe më 21 janar e kishte urdhëruar prokurorin që të plotësojë aktakuzën në afat prej 30 ditësh.

Më pas, prokurori i rastit Dren Paca më 28 janar ka paraqitur kërkesë për përjashtimin e gjykatësit Vesel Ismaili nga gjykimi i rastit, e cila kërkesë më 13 shkurt nuk u pranua nga kryetarja e Gjykatës, Albina Shabani-Rama.

Më pas, prokurori Paca më 19 shkurt paraqiti në Gjykatë aktakuzën e përmirësuar dhe Gjykata kishte caktuar më 20 mars mbajtjen e shqyrtimit fillestar, ku të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm.

Pas kësaj, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre i kundërshtuan provat dhe kërkuan që aktakuza të hidhet poshtë.

Gjykata: Nuk ka dëshmi për falsifikim dokumentesh

Sipas aktakuzës, të panedehurit dyshoheshin për kontrata të falsifikuara, përmes të cilave ata dyshohet se kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme, e të cila “para i kanë shpëlarë duke blerë prona brenda dhe jashtë Kosovës”.

Por, gjykata tha se nga rrethanat e përshkruara në aktakuzë, “nuk bëhet fjalë për falsifikim të dokumenteve për faktin se të gjitha: kontrata, ankes-kontrata, marrëveshjet, fletëdërgesat, debit note, etj; janë të nënshkruara nga persona përkatës dhe nuk ka ndërhyrje në to”.

Pa këto elemente, Gjykata theksoi se nuk ka vepër penale të falsifikimit, dhe se mbrojtësit kanë pretenduar me të drejtë se nuk elemente të veprës penale të falsifikimit të dokument nga veprimet e të akuzuarve.

Gjykata ka gjetur tutje se Prokuroria ka cenuar parimin thelbësor në të drejtën penale duke mos e aplikuar ligjin që ka qenë në fuqi kur të akuzuarit dyshohet se kanë kryer veprat penale të falsifikimit të dokumentit, për çka janë ngarkuar.

Kjo pasi, që të akuzuarit Prokuroria Speciale i ngarkon për falsifikim të dokumentit përgjatë vitit 2014 dhe 2015 kur në fuqi ishte Kodi Penal i vitit 2012, e që Prokuroria veprimet i ka cilësuar me Kodin Penal të vitit 2019, që është më i ashpër.

Gjithnjë sipas gjykatës, për faktin se nuk ka vepër penale të falsifikimit të dokumentit, nuk mund të ekzistojë rrjedhimisht as vepra penale e shpëlarjes së parave.

Po ashtu, Gjykata ka gjetur se për disa nga veprat penale është arritur parashkrimi i ndjekjes penale bazuar në Kodin Penal të vitit 2012.

Në vendim thuhet se veprat penale pretendohet të jenë kryer gjatë vitit 2014 (pikat I, II dhe III të aktakuzës) dhe 2015 (pikat IV dhe V të aktakuzës), e që dënimi për to del të jetë mbi 1 vit deri 3 vite burgim, e që aktvendimi për fillim të hetimeve mban datën 12 tetor 2022, që do të thotë se është arritur parashkrimi i ndjekjes penale, sepse kanë kaluar 7 respektivisht 8 vite nga kryerja e veprave penale.

Më tej, në vendim thuhet se Prokuroria pretendon se me dokumentet e falsifikuara, të akuzuarit kanë fituar para, të cilat pastaj i kanë shpëlarë, por nuk ka dhënë sqarime se nga kush janë fituar, kush është i dëmtuar, të pandehurit veç e veç sa para i kanë fituar nga veprat penale, ku e kanë burimin këto para, ku i kanë pastruar, cilën pronë e kanë blerë me ato para e ku janë ato prona.

“Nuk është e mundur të fitosh para me dokumente të falsifikuara pa e dëmtuar askënd- logjikisht dhe objektivisht kjo është e pamundur”, thuhet në vendim.

Gjykata ka theksuar në vendim se Prokuroria Speciale nuk ka përmendur asnjë xhirollogari konkrete, asnjë transfer të realizuar nga paratë e supozuara si të pista.

Kurse, thuhet se i është propozuar gjykatës konfiskim i disa pronave pa u identifikuar ku ndodhen ato dhe pa argumente se me cilat prova ka vërtetuar se këto prona, transfere parash apo xhirollogari janë produkt i falsifikimit të dokumenteve./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos