“Ushtria e pathyeshme, integriteti i paprekshëm”, Kurti: Jemi furnizuar me arsenal ushtarak më shumë se kurrë

Nga Rosalba Bejdo
27 Qershor 2025, 20:19 | Aktualitet

350 rekrutë të rinj u janë bashkuar Forcës së Sigurisë së Kosovës. Në ceremoninë e betimit të ushtarëve që i takojnë gjeneratës së dytë për vitin 2025 morën pjesë përfaqësues shtetërorë, përfshirë kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, i cili theksoi se ushtria e vendit është e pathyeshme dhe sovraniteti e integriteti territorial i paprekshëm. 

“Gjersa bota po përballet me kërcënime nga më të ndryshmet, shteti ynë ka thelluar bashkëpunimin me aleatët dhe partnerët tanë strategjik. Përballë armikut a çfarëdo kërcënimi të paqes a sigurisë, më nuk qëndron Kosova e dikurshme, por ushtria e Kosovës me shumë të rinj dhe të reja që si ju ballëhapur bartin uniformën me simbolin e shqiponjës sypatrembur në krahë. Të përgatitur në aspektin profesional e logjistik ushtarët tanë janë të pamposhtur e të pathyeshëm, kurse sovraniteti shtetëror i paprekshëm e integriteti territorial i pacenueshëm”, tha Kurti, shkruan A2. 

Kurti shtoi më tej se ushtria e Kosovës po ecën me hapa të shpejtë drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale me përbërje multietnike. Sipas tij, FSK është e furnizuar më shumë se kurrë me arsenal ushtarak: “Ushtria jonë është e furnizuar më shumë se kurrë me arsenal ushtarak, sisteme armatimesh nga më modernet, gjersa pritet që brenda dy vitesh të ndërtohet fabrika e parë shtetërore për prodhimin e municioneve. Ushtria e Kosovës me hapa të shpejtë po ecën drejt zhvillimit me kapacitete të plota si ushtri profesionale me përbërje multietnike. Ëndrrën e gjithë atyre që sakrifikuan për liri sot po e jetësoni ju rekrutë të dashur. Ushtria e Kosovës, e ngritur mbi sakrificën e dëshmorëve në ballë të të cilëve është kryekomandanti legjendar, Adem Jashari, e një simbiozë perfekte edhe me doktrinat e vendeve anëtare të NATO-s ka arritur nivelet e një ushtrie profesionale të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere”.

Në ceremoninë e certifikimit të rekrutëve të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës u ndanë mirënjohje edhe për rekrutët, instruktorët dhe togerët e dalluar. Në muajin mars betimin si ushtarë e bënë edhe gjenerata e parë për këtë vit, e cila numëronte 344 rekrutë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos