Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve zbardhi të gjitha shkeljet që dyshohet të kenë kryer punonjësit e paraburgimit të Durrësit, me pasojë arratisjen e Altin Ndocit, teksa po vizitohej në spitalin e qytetit. Në lidhje me këto shkelje, paraditen e së mërkurës u arrestuan 7 punonjës të Policisë së Burgjeve, si edhe kryeinfermieri i IEVP Durrës.
Në një reagim zyrtar, DPB tha se nga verifikimet paraprake ka rezultuar se për shoqërimin e planifikuar të të paraburgosurit Ndoci në spitalin e qytetit, IEVP Durrës nuk ka informuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe Komisariatin e Policisë Durrës. Po ashtu, zyrtarët e burgut ku Altin Ndoci mbahej i izoluar nuk kanë raportuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve as planifikimin dhe as realizimin e vizitës mjekësore, në kundërshtim me aktet nënligjore në fuqi.
Shkelje janë vërejtur edhe në respektimin e procedurave standarde për shoqërimin e të paraburgosurve dhe të dënuarve. Verifikimi paraprak i shkeljeve çoi Prokurorinë e Durrësit në lëshimin e urdhër-ndalimeve për 8 persona: 7 efektivë të Policisë së Burgjeve dhe kryeinfermierin e IEVP Durrës.
Më herët, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve pezulloi nga detyra 12 zyrtarë, përfshirë zinxhirin komandues, drejtorin e IEVP Durrës, shefin e policisë, shefin e Policisë së IEVP Durrës dhe shefen e Shërbimit të Kujdesit Shëndetësor. Pasditen e së mërkurës, drejtori i paraburgimit të Durrësit, Indrit Cerloj, u shkarkua nga detyra me urdhër të Ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari.
Në lidhje me dinamikën e arratisjes, Burgjet sqaruan se Ndoci është paraqitur në pavionin infektiv për marrjen e trajtimit mjekësor. Pas vizitës mjekësore nga mjeku kardiolog në Spitalin Rajonal Durrës, është rekomanduar mjekim dhe rikontroll pas 2 (dy) orësh. Gjatë kohës që ka qenë duke marrë trajtim mjekësor, shtetasi Altin Ndoci ka kërkuar të shkojë në tualet. Ai është shoqëruar nga punonjësit e Policisë së Burgjeve, por gjatë këtij momenti ka kundërshtuar dhe goditur punonjësit, duke arritur të arratiset. (A2 Televizion)