Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) në mbledhjen e 41-të të këtij viti, u njoftua me Raportin Informues mbi Listën Preliminare të Votuesve (LPV) për zgjedhjet lokale për kryetarë të komunave dhe për Kuvendet Komunale, të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.
Sipas të dhënave nga raporti, Lista Preliminare e Votuesve përmban gjithsej 2,067,998 qytetarë me të drejtë vote, që është 7,870 më pak sesa në Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Në këtë mbledhje, KQZ ka miratuar listën e 945 Qendrave të Votimit në 38 komunat e Kosovës për zgjedhjet lokale të 12 tetorit. Prej tyre 907 do të shërbejnë për votimin e rregullt, ndërsa 38 të tjera, një për çdo komunë, janë caktuar për votimin me kusht.
Votuesit e rinj
Në këtë listë janë përfshirë edhe 33,540 votues të rinj, të ndarë në dy kategori:
· 26,654 votues që kanë mbushur moshën 18 vjeç pas zgjedhjeve të fundit dhe do të votojnë për herë të parë;
· 6,886 votues të regjistruar rishtazi në Regjistrin Qendror Civil ose që kanë rikthyer shtetësinë e Kosovës ndërmjet dy proceseve zgjedhore.
Largimet nga lista
Numri i votuesve të larguar nga LPV pas zgjedhjeve të fundit është 41,410, përfshirë:
· 6,276 persona të ndjerë, evidentuar nga Agjencia e Regjistrit Civil (ARC);
· 340 qytetarë që kanë humbur shtetësinë e Kosovës;
· 2,967 persona të ndjerë, të identifikuar përmes krahasimit të të dhënave nga Departamenti i Pensioneve;
· 117 persona të larguar për shkak të vendimeve gjyqësore për kufizimin e zotësisë për veprim;
· 471 votues mbi 100 vjeç, të larguar për mospërputhje të të dhënave me regjistrimin e popullsisë nga ASK;
· 31,239 persona të kategorizuar si “të paverifikuar”, që figurojnë në regjistrin e DPD-së por jo në atë të Gjendjes Civile.
(A2 Televizion)