Autoritetet në Kosovë kanë ftuar ndërkombëtarët që të përfshihen në hetimet për sulmin terrorist në Ibër Lepenc që si qëllim pati dëmtimin e infrastrukturës kritike të vendit. Kjo me qëllim për t’u bindur se kush qëndron mbrapa sulmit që për Prishtinën zyrtare është vet Serbia.
Bashkimi Europian e cilësoi akt terrorist e sabotues dëmtimin e kanalit, njëjtë sikurse edhe disa vende të tjera, ndërsa shefja e re e diplomacisë Kaja Kallas ftoi menjëherë edhe kryeministrin Albin Kurti e presidentin Aleksandër Vuçiç në Bruksel.
Për Lëvizjen Vetëvendosje, këto janë sinjale se Bashkimi Europian me lidershipin e ri mund të ndërmarr veprime ndaj Serbisë.
“Gatishmëria sot për të vepruar në lidhje me këtë rast është shumë më e madhe se që ka qenë në shtatorin e vitit të kaluar sepse edhe në rastin e Banjskës kemi pasur pozicionime të qarta të shteteve që bëhet fjalë për një sulm terrorist por nuk ka pasur iniciativë nga Borrell që ta identifikojë si të tillë dhe ta ndëshkojë shtetin që e ka kryer këtë sulm”, tha Arbresha Kryeziu Hyseni, deputete, LVVV.
Partitë opozitare nuk presin sanksione ndaj Serbisë duke fajësuar strategjinë e gabuar të Qeverisë së Kosovës.
“Nuk do të kapitalizohet as ky sulm që ndodhi në Ibër Lepenc njëjtë sikurse nuk u kapitalizua as sulmi në Banjskë dhe në fakt me gjithë këto sulme terroriste jemi vend i sanksionuar nga Bashkimi Europian njëjtë siç është e sanksionuar edhe Rusia”, tha Time Kadrijaj, deputete AAK.
Kryeministri Albin Kurti kritikohet për mungesën e koordinimit me shtetet partnere që për opozitën është e papranueshme dhe e ka sjellë vendin në një situatë ku fajësohet për tensione ne veri.
“Kjo qeveri nuk ka koordinim është fokusuar në agjenda ditore, është fokusuar në agjenda elektorale dhe çdo veprim që e bën e kalkulon a është një veprim i cili do të t’i sjellë vota Lëvizjes Vetëvendosje në këto zgjedhje”, tha Time Kadrijaj, deputete, AAK.
Mazhoranca thotë se masat ndëshkuese duhet të hiqen sa më shpejtë dhe ato t’i vendosen Serbisë, pasi ndryshe akte të ngjashme mund të përsëriten.
“Edhe vet Bashkimi Europian sot është i vetëdijshëm për rrezikun potencial që mund të sjellë Serbia nëse ajo nuk ndëshkohet për këto veprime sepse këto mund të përsëriten në të ardhmen nëse nuk do të ketë ndëshkim të formës së prerë”, tha Arbresha Kryeziu Hyseni, deputete, LVV.
Bashkimit Europian i është kërkuar gjithashtu që të flasë me një gjuhë të qartë sa herë Serbia tenton të destabilizojë Kosovën dhe rajonin. (A2 Televizion)