Mirënjohja për mikun më të madh të shqiptarëve në Kosovë kalon nuancat politike dhe fetare. Me rastin e ditës së pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, xhamia “Bedri Kamberi” në Prishtinë ngriti dhe valviti flamurin amerikan në oborrin e saj.
Hoxha i këtij objekti fetar, Labinot Maliqi, shprehu mirënjohje të përzemërt ndaj SHBA-ve dhe popullit të saj, duke nënvizuar kontributin e madh të dhënë në çlirimin e Kosovës. Sipas tij, Shtetet e Bashkuara janë miku, aleati dhe vëllai më i madh i Kosovës.
“Më 12 qershor festuam 25-vjetorin e Kosovës, ndërsa sot 4 korrik shprehim mirënjohjen tonë ndaj SHBA-së, vend që e bëri çlirimin e vendit tonë. Miku, aleati dhe vëllai ynë i madh janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, u shpreh Maliqi.
Imami i kësaj xhamie e ka kthyer në traditë ngritjen e flamurit amerikan më 4 korrik. Në këtë datë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë përvjetorin e 248-të të shpalljes së pavarësisë.
4 korriku në SHBA festohet me parada madhështore, festime familjare dhe mbyllet me hedhjen e fishekzjarrëve. (A2 Televizion)