“FSK me rol humanitar”, ish-gjenerali: Deklaratë politike e Rutte, mos të nervozohet Serbia

Nga Rosalba Bejdo
12 Mars 2025, 22:10 | Aktualitet

Gjatë vizitës në Kosovë, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se roli i NATO-s në Kosovë është të sigurojë që FSK-ja të zhvillohet si një forcë efektive për çështje humanitare.

Në një deklaratë me shkrim për A2 CNN, zëdhënësja e Ministrisë së Mbrojtjes, Liridona Gashi, tha se qëndrimi i NATO-s vazhdon të jetë i njëjti, edhe pse aspirata e Kosovës për anëtarësim në aleancë është një objektiv që vendi synon ta arrijë. Deklarata e Shefit të NATO-s, Rutte, është vlerësuar si tërësisht politike nga ish-komandanti i FSK-së, Gjenerali Kadri Kastrati. Sipas tij, qëllimi është të ruhen raportet me Serbinë, shkruan A2 CNN.

Gjenerali Kastrati thekson faktin se nga viti 2011 dhe deri në vitin 2014 është bërë rishikimi strategjik i FSK-së, dhe në atë kohë është marrë një vendim, së bashku me NATO-n dhe SHBA-në, që Kosovës i nevojitet një forcë ushtarake.

Ndërsa koloneli në pension i FSK-së, Hysen Gecaj, deklaratën e sekretarit të NATO-s, Rutte, e shikon si korrekte, për faktin se ende nuk ka ndryshime praktike sa i përket bashkëpunimit mes NATO-s dhe FSK-së.

Në vitin 2018 janë miratuar tri ligje në parlament: Ligji për Ministrinë e Mbrojtjes, Ligji për Shërbimin në FSK dhe Ligji për FSK-në. Që nga atëherë, FSK-ja ka marrë mision ushtarak, me detyra kryesore mbrojtjen e integritetit dhe sovranitetit, pjesëmarrjen në operacione paqeruajtëse nëpër botë, ruajtjen e pronës dhe jetës së qytetarit të Kosovës dhe zbatimin e të gjitha rekomandimeve dhe urdhrave që dalin nga institucionet qendrore dhe lokale. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos