Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë ua kanë marrë vendimin për t’i vazhduar paraburgimin edhe për dy muaj të tjerë, ish-luftëtarëve të UÇK-së, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi.
Vendimi është marrë më 13 mars 2025, nga kryetari i trupit gjykues Charles Smith III. Për të dy të akuzuarit, paneli i gjyqtarëve ka konstatuar se nuk ka mjaftueshëm informacione se ata mund t’i ikin drejtësisë, mirëpo ekziston rreziku që ata të pengojë zhvillimin e procedurave të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, si dhe të kryejnë krime të tjera.
Këto krime, sipas gjyqtarëve ka rrezik të kryhen ndaj atyre që perceptohen si kundërshtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke përfshirë edhe dëshmitarët që kanë ofruar ose mund të ofrojnë dëshmi gjatë ditëve në vijim.
Paneli që ka marrë vendimin ka arritur në konkluzionin se asnjë prej kushteve alternative nuk mund të zbusin rreziqet ekzistuese përveçse ai i paraburgimit në objektet e DhSK-së.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 dorëzoi aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku 4 ish-krerët e UÇK-së ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. Prokurori i Specializuar akuzon katërshen e UÇK se kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimitdhe Jakup Krasniqit u konfirmua më 26 tetor 2020. (A2 Televizion)