Gjykata Supreme anulon vendimin për shkarkimin e Besim Kelmendit

Nga A2 CNN
17 Dhjetor 2025, 12:07 | Aktualitet

Gjykata Supreme anulon vendimin për shkarkimin e Besim Kelmendit

Gjykata Supreme ka anuluar vendimin e Këshillit Prokuorial të Kosovës për shkarkimin e Besim Kelmendit që ishte ushtrues detyre në pozitën Kryeprokuror i Shtetit.

Gjykata Supreme e Kosovës ka marrë vendim në favor të Besim Kelmendit, duke anuluar si të kundërligjshëm vendimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës për shkarkimin e tij nga pozita e ushtruesit të detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit.

Sipas njoftimit, Gjykata Supreme ka aprovuar ankesën e Kelmendit dhe ka shfuqizuar vendimin e datës 20 nëntor 2025, duke e kthyer çështjen në rishqyrtim dhe rivendosje pranë Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjykata ka vlerësuar se vendimi për shkarkim ishte marrë mbi pretendime për shkelje disiplinore, të lidhura me deklarime publike dhe qëndrime të shprehura nga Kelmendi në Këshill dhe në media. Megjithatë, sipas Supremes, përfundimi juridik i KPK-së nuk është i drejtë dhe as i ligjshëm.

Në arsyetimin e saj, Gjykata Supreme thekson se vendimi i KPK-së përmban shkelje thelbësore të procedurës, bie ndesh me Ligjin për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, si dhe me Kodin e Etikës Profesionale për Prokurorë. Për pasojë, vendimi është cilësuar arbitrar, kontradiktor dhe pa bazë ligjore të qartë.

Njoftimi:

Aprovohet ankesa e U.D. Kryeprokurorit Besim Kelmendi, anulohet vendimi për shkarkim si i kundërligjshëm

 – Gjykata Supreme e ka aprovuar si të bazuar ankesën e paraqitur nga Besim Kelmendi, U.D. Kryeprokurori i Shtetit dhe ka anuluar vendimin KPK.nr.1056/2025, të datës 20 nëntor 2025, si të kundërligjshëm. Lënda i është kthyer Këshillit Prokurorial të Kosovës në rishqyrtim dhe rivendosje.

Gjykata Supreme e Kosovës, pas vlerësimit të pretendimeve ankimore lidhur me vendimin e atakuar, në mbështetje të nenit 15, të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, ka gjetur se ankesa është e bazuar.

Meqenëse vendimi mbi shkarkim është marrë bazuar në pretendimet se U.D i kryeprokurorit të shtetit, përmes deklarimeve në Këshill dhe media ka shprehur qëndrim të njëanshëm, të cilat qëndrime dhe deklarime kanë denigruar pozitën e tij dhe kanë cenuar besimin e sistemit prokurorial dhe të publikut, janë elemente të përgjegjësisë disiplinore që përfshihen në kuadër të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, Gjykata Supreme e Kosovës nisur nga kjo gjendje e çështjes, vlerëson se qëndrimi dhe përfundimi juridik i Këshillit Prokurorial të Kosovës nuk është i drejtë dhe i ligjshëm. Kjo, pasi që vendimi i atakuar është i përfshirë në shkelje thelbësore të dispozitave të procedurës  të Ligjit për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, dhe Kodit të Etikës Profesionale për Prokurorë.

Sipas Gjykatës Supreme vendimi i atakuar është i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë, sepse është kontradiktor në vetvete nga fakti se ku mbështetet një vendim i tillë (baza ligjore), dhe kjo krijon pasiguri se si ka mundësi një organ i tillë të merr vendime pa bazë ligjore specifike dhe referuar në dispozita që nuk i japin autorizime të veprojë në formën dhe mënyrën se si ka vepruar. Pra është procedurë e pa mbështetur në ligj dhe atë që nga fakti i rendit të ditës, caktimit të të njëjtit, ndryshimit të rendit të ditës,  votimit, procedimit, përfundimit, rihapjes apo takimit të ri deri te vendimi i atakuar për shkarkim.

 

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos