"Po vepron kundër ligjit" AAK kallëzon Albin Kurtin në Prokurorinë Speciale

Nga Erjon Dervishi
26 Gusht 2026, 12:23 | Aktualitet

"Po vepron kundër ligjit" AAK kallëzon Albin Kurtin në

Aleanca ka dorëzuar kallëzim penal pranë Prokurorisë Speciale në Prishtinë, lidhur me vendimet, siç kanë thënë, “antikushtetuese të Qeverisë në detyrë”.

Nënkryetari i Aleancës, Besnik Tahiri, tha se shtatëmbëdhjetë vendimet e qeverisë në detyrë në lidhje me emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë janë në kundërshtim me Ligjin për Qeverinë.

Sipas tij, në mbledhjen e 12 gushtit, kabineti qeveritar në detyrë, i udhëhequr nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i ka kompetencat e kufizuara. Ai pretendoi se me marrjen e këtyre vendimeve është shkelur legjislacioni në fuqi dhe rregulloret e ekzekutivit që i parashohin funksionet e një qeverie në detyrë.

“Me datën 12 gusht të këtij viti, ata kanë marrë disa vendime të cilat, në vlerësimin tonë dhe të juristëve që përfaqësojnë këtë lëndë, janë vendime që bien ndesh me ligjin dhe të gjitha rregulloret që i ka një qeveri. Qeveria në detyrë quhet qeveri në detyrë pasi nuk është qeveri e votuar dhe e ka të ndaluar të marrë vendime që janë të ndërlidhura me 17 vendime që janë marrë për emërimin e komisioneve për rekrutimin e zyrtarëve të lartë shtetërorë në agjencionet qeveritare. Qeveria në detyrë nuk guxon në asnjë moment të shkelë ligjin që vetë e ka miratuar. Është ekskluzivisht e thënë qartë se kjo qeveri i ka kompetencat e kufizuara dhe, me marrjen e këtyre vendimeve, e kanë shkelur detyrën zyrtare dhe pozitën e tyre si ushtrues detyre”, theksoi Tahiri.

Ai përmendi edhe funksionet e dyfishta që, sipas tij, po i mbajnë shumica e kabinetit qeveritar, edhe si deputetë të zgjedhur.

Tahiri tha se një deputet i betuar në Kuvend nuk mund të ushtrojë edhe detyra në pushtetin ekzekutiv, si ministër apo zëvendësministër në detyrë.

“Në këtë kallëzim penal, një deputet i cili betohet në Kuvend si deputet nuk mund të ushtrojë detyrë tjetër ekzekutive. Kjo është e ndaluar me ligj. Nuk mundesh me shku paradite në seancë me u betu si deputet dhe pastaj me vazhdu në qeveri dhe me ushtru detyra ekzekutive si ministër në detyrë. Kjo është shkelje flagrante e ligjit dhe kjo është sanksionuar me një vendim tjetër të Gjykatës Supreme. Kapja e shtetit duhet të ndalet. Abuzimi me funksion publik duhet të ndalet”, përfundoi Tahiri.

Shqetësime për vendimmarrjen e qeverisë në detyrë kanë ngritur edhe organizata nga shoqëria civile. Grupi për Studime Juridike dhe Politike, në një komunikatë për media më 13 gusht i ka cilësuar vendimet të kundërligjshme, duke qenë se shumica e anëtarëve të Qeverisë në detyrë janë betuar si deputetë të Kuvendit të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos