‘’Rihapja e urës mbi Ibër rrezikon serbët’’, Vuçiç: Do kërkoj bisedime në të gjitha nivelet me SHBA

Nga Rosalba Bejdo
27 Gusht 2026, 16:20 | Aktualitet

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç paralajmëroi se do të kërkojë bisedime në të gjitha nivelet në Shtetet e Bashkuara, për të garantuar, siç thotë, sigurinë e serbëve në Kosovë.

Teksa theksoi se Uashingtoni dhe Beogradi kanë qëndrime të ndryshme sa i përket Kosovës, ai shprehu mirënjohjen për angazhimin në parandalimin e tensioneve të mëtejshme.

Duke komentuar mundësinë e rihapjes së urës mbi lumin Ibër, Vuçiç tha se kjo nuk është vetëm çështje e interesave kombëtare serbe, por edhe çështje e sigurisë dhe mbijetesës së njerëzve.

“Para së gjithash, është çështje e jetës së njerëzve, e mbijetesës së tyre në veri të Kosovës dhe Metohisë. Nuk e kam fshehur dhe jam mirënjohës ndaj Aleksandar Titolos dhe shumë zyrtarëve amerikanë me të cilët fola për këtë temë. Por nëse gjërat nuk shkojnë mirë, do të kërkojmë bisedime në të gjitha nivelet në SHBA, në mënyrë që, sa më shumë të jetë e mundur, të ndikojë në sigurinë dhe mbrojtjen më të madhe të popullit serb në veri të Kosovës dhe Metohisë.”

Duke zhvlerësuar rolin e Bashkimit Evropian, Vuçiç tha se detyrimi i tyre ishte t’i drejtoheshin aktorit më me ndikim te Prishtina, siç janë Shtetet e Bashkuara.

Në deklaratën e së mërkurës, kreu i shtetit serb foli mbi nevojën për të krijuar një marrëdhënie të re mes SHBA-së dhe Serbisë, duke theksuar rëndësinë e dialogut strategjik mes dy vendeve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos