
Vendimet lidhur me praninë e trupave të KFOR-it në urën mbi lumin Ibër bazohen në vlerësimet e situatës së sigurisë të bërë nga NATO.
Kështu ka bërë me dije komandanti i Komandës së Forcave të Përbashkëta të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut në Napoli, admirali George Wikoff. Ai ka thënë se, vendimi nëse ura duhet të hapet për qarkullim të automjeteve apo jo mbetet te BE-ja dhe te autoritetet përkatëse të Kosovës.
“Vendimet lidhur me praninë e KFOR-it në urën e Mitrovicës bazohen në vlerësimin që ne ia bëjmë gjendjes së sigurisë”, tha ai, sipas një komunikate të KFOR-it. KFOR-i e përsëriti në njoftim se është duke zhvilluar një proces për kufizimin e pranisë së trupave të saj mbi urën, e cila është e hapur vetëm për këmbësorë, por jo edhe për qarkullimin e automjeteve.
Vendimi i misionit paqeruajtës për kufizimin e pranisë dhe kalimin e përgjegjësive mbi urë tek Policia e Kosovës është kundërshtuar nga Serbia. (A2 Televizion)