“Ka ardhur koha që Ibri të hapet”, Policia merr përgjegjësinë nga KFOR, qytetarët: Hap drejt normalizimit

Nga Rosalba Bejdo
21 Gusht 2026, 15:35 | Aktualitet

Dhjetë ditë pasi KFOR-i njoftoi nisjen e tranzicionit gradual të pranisë së tij të përhershme në urën kryesore mbi Ibër, përgjegjësia për sigurinë e kësaj pike ka kaluar te Policia e Kosovës.

Në Mitrovicën e Veriut, qytetarët dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile e shohin këtë si një hap drejt normalizimit të situatës dhe, potencialisht, hapjes së urës edhe për automjete. Sipas tyre, në këtë pjesë të qytetit nuk ka pasur tensione serioze prej vitesh dhe prania e vazhdueshme e forcave ndërkombëtare në urë nuk është më e nevojshme.

“Besoj që ka ardhur koha. Më në fund është marrë ky vendim. Veriu ka nevojë për investime që kanë munguar tani prej 27 vitesh. Tension në veri, edhe te ura, nuk ka pasur. Mjafton të shtohet numri i policëve ose i patrullave, nuk ka probleme”, tha Betim Osmani, nga Iniciativa Qytetare në Mitrovicën e Veriut.

Qytetarët e shohin lehtësimin e kontrollit si një ndryshim pozitiv dhe thonë se hapja e urës është çështje e lëvizjes së lirë të qytetarëve dhe se procesi nuk duhet të ndalet për shkak të politikës.

“Të drejtat elementare njerëzore janë lëvizja e lirë. Shpresoj që së fundmi të gjitha rrethanat janë krijuar që urat të hapen.”

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç ka dënuar vendimin për reduktimin e pranisë së KFOR-it dhe hapjen e mundshme të urës mbi Ibër për automjetet, duke i dërguar një letër sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte. Ai tha se pret një përgjigje nga Rutte, duke shtuar se beson se kreu i NATO-s është i interesuar për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes për të gjithë në Ballkan.

Në një reagim për Radion Evropa e Lirë, një zyrtar i NATO-s tha se aleanca vlerëson se çdo vendim për rihapjen e mundshme të urës mbi lumin Ibër për trafikun e automjeteve duhet të “adresojë nevojat e të gjitha komuniteteve lokale”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos