Kelmendi kërkon të lirohet nga posti i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit

Nga A2 CNN
22 Dhjetor 2025, 13:23 | Aktualitet

Kelmendi kërkon të lirohet nga posti i ushtruesit të detyrës

Besim Kelmendi i ka kërkuar Këshillit Prokurorial të Kosovës ta lirojë nga posti i ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit të shtetit, një javë pasi gjykata e lartë e anuloi shkarkimin e tij që kishte nxitur polemika e kritika.

Në një shkresë të dorëzuar në Këshillin Prokurorial, Kelmendi tha se kërkesa për t’u liruar nga detyra është “pasqyrim i vullnetit tim për ta mbështetur reformën në Sistemin Prokurorial dhe për të kontribuar në përmirësimin e gjendjes së krijuar në Këshill”, raportoi Betimi për Drejtësi të hënën.

Kelmendi theksoi se dëshiron të largohet nga kjo detyrë - të cilën e ka mbajtur nga prilli i vitit 2022 - pas vendimeve gjyqësore për rastin e tij dhe gjendjes së krijuar në Këshillin Prokurorial.

Kërkesa e tij vjen vetëm pesë ditë pasi Gjykata Supreme e anuloi vendimin e Këshillit Prokurorial për shkarkimin e tij, duke e quajtur të kundërligjshëm.

Kelmendi ishte shkarkuar muajin e kaluar pas raportimeve se ai gjoja kishte bashkëpunuar më 1999 me një gjyqtare serbe për rastin e Masakrës së Reçakut, të cilën ajo e konsideronte ngjarje të trilluar. Ai i ka mohuar këto pretendime.

Shkarkimi i tij nxiti reagime nga bashkësia ndërkombëtare dhe shkaktoi polemika për ligjshmërinë e vendimit, pasi ai u votua nga vetëm pesë anëtarë të Këshillit Prokurorial. Pjesa tjetër e anëtarëve vlerësuan se s’kishte kuorum, dhe e quajtën vendimin "puç institucional".

Kelmendi u ankua në Supreme pasi Gjykata Themelore nuk ia pranoi ankesën kundër shkarkimit. Supremja gjeti se vendimi i Këshillit Prokurorial ishte “i kundërligjshëm, arbitrar dhe i pa bazë”.

Në shkresë, Kelmendi tha se dëshiron ta vazhdojë karrierën si prokuror dhe u zotua se do të punojë “me përkushtim për të mirën e sistemit prokurorial”.

“Dhe krejt në fund, unë, si prokuror në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, do të punoj më përkushtimin tim më të madh për të mirën e Sistemit Prokurorial, i pavarur, i pa anshëm dhe me profesionalizëm, ashtu siç më ka vlerësuar Këshilli Prokurorial”, përfundoi ai./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos