“Angazhimi i KFOR-it për sigurinë në Kosovë mbetet i palëkundur”. Kështu tha komandanti i misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, Enrico Barduani, gjatë takimit në Prishtinë me të dërguarin e Posaçëm të Norvegjisë për Ballkanin Perëndimor, Eirik Nestas Mathisen.
“Gjeneral Major Barduani theksoi angazhimin e palëkundur të KFOR-it për të mbështetur përpjekjet e komunitetit ndërkombëtar për të garantuar një siguri të qëndrueshme në Kosovë dhe stabilitetin rajonal. Ai theksoi se KFOR vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999, për të kontribuar në një mjedis të sigurt për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe për lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme”, thuhet në një njoftim të KFOR-it në Facebook. (A2 Televizion)