Trajtimi i rasteve të profilit të lartë nuk ka shënuar progres, ndërsa për institucionet e drejtësisë në Kosovë sfidë mbetet edhe produktiviteti i seancave. Kështu vlerësohet në raportin e EULEX lidhur me monitorimin e sistemit të drejtësisë. Shefi i Misionit të EULEX-it në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano tha se raporti nënvizon se rruga drejt përafrimit me Bashkimin Evropian kërkon një përkushtim të palëkundur nga udhëheqësit e institucioneve të sundimit të ligjit në të gjitha nivelet. Ai theksoi se Eulex mbetej i vendosur për të mbështetur drejtësinë në Kosovë.
“Ky raport nënvizon se rruga drejt përafrimit të Bashkimin Evropian kërkon më shumë se reforma institucionale në drejtësi. Duhet treguar përkushtim i palëkundur nga udhëheqësit e institucioneve të sundimit të ligjit në të gjitha nivelet dhe mbështetjen nga të gjitha komunitetet. EULEX vazhdon të jetë partner i përkushtuar i Kosovës. Zotimi ynë për të mbështetur sektorin e drejtësisë së Kosovës është i palëkundur, por përgjegjësia për transformimin e vërtetë përfundimisht i takon lidershipit kosovar”.
Ndërsa, shefi i Njësisë së EULEX-it për monitorimin e rasteve, Hubert van Eck Koster u shpreh se rezultatet kanë munguar në trajtimin e rasteve të profilit të lartë, ndërsa paraburgimi vazhdon të përdoret në mënyrë sistematike. Sipas raportit, progres është shënuar në rastet e krimeve të luftës dhe në luftimin e dhunës në baza gjinore.
“Sa i përket trajtimit të rasteve të profilit të lartë, të korrupsionit shumë prej tyre fatkeqësisht nuk kanë shënuar ndonjë përparim të mirëfilltë edhe pse disa gjykime janë duke u mbajtur për vite të tëra. Rreziku në disa prej rasteve është se ato mund të arrijnë afatin e parashkrimit e shumë prej rasteve të profilit të lartë që kanë pasur një përparim dhe kanë përfunduar me lirim nga akuza”.
Raporti i monitorimit të sistemit të drejtësisë, është i gjashti që publikohet nga Misioni i EULEX-it në Kosovë. (A2 Televizion)