Me rastin e Krishtlindjes ortodokse, ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka shkuar në shtëpinë e dy familjeve të komunitetit serb në fshatin Shtërpcë, ku ka drekuar me ta.
Këtë e ka bërë të ditur vetë Sveçla përmes një postimi në Facebook, ku ka treguar se është mirëpritur në familjet Illic dhe Filipovic.
“Nga këto familje mikpritëse e punëtore ua përcjellim urimet e përzemërta të gjithë besimtarëve bashkëqytetarë tanë që festojnë sot Krishtlindjet ortodokse sipas kalendarit julian. Gëzime paçi në familjet tuaja”, ka shkruar ministri përkrah fotove, ku bie në sy se ai shoqërohet nga ministri Elbert Krasniqi.
Sakaq, komunitetin serb me rastin e Krishtlindjes ortodokse e ka uruar edhe kryeministri Albin Kurti. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kurti uron në gjuhën shqipe dhe atë serbe.
“Krishtlindja është kohë e shpresës, mirënjohjes dhe mirësisë. Në këtë ditë të veçantë i dërgoj urimet më të mira për të gjithë bashkëqytetarët tanë nga komuniteti serb të besimit ortodoks që festojnë sot. Gëzuar Krishtlindjen! Ju dëshiroj paqe dhe gëzim”, shprehet Kurti. (A2 Televizion)