Për nder të 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në sheshin kryesor të Prishtinës parakaluan edhe Forca e Sigurisë dhe Policia e Kosovës.
Përpos rreshtimit të të gjitha njësive që kujdesen për ruajtjen e paqes dhe sigurisë, u prezantua edhe flota e automjeteve që janë në dispozicion të ushtrisë e policisë së Kosovës, shkruan A2.
Ushtarakëve e efektivëve dhe mijëra qytetarëve të mbledhur iu drejtuan presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, që kujtuan rezistencën paqësore e të armatosur të popullit për liri e pavarësi.
“Kosova është simbol i dinjitetit dhe i një sakrifice të pashembullt për liri. Kushdo që guxon ta vërë në dyshim këtë realitet le ta dëgjoj zërin e popullit të Kosovës sot. Kosova është dhe mbetet atdheu ynë i përjetshëm”, tha Osmani.
“Aq sa ishte e panatyrshme mbetja e Kosovës jashtë kufijve të Shqipërisë më 1912 dhe 1913, aq ishte e natyrshme krijimi i shtetit të Kosovës më 2008, kur u shpall pavarësia dhe festimi i saj sot”, tha Kurti.
Osmani ngriti lart përpjekjet e përditshme të Policisë së Kosovës në ruajtjen e kufijve shtetërorë, ndërsa për FSK tha se janë garantues të sovranitetit të shtetit të Kosovës: “Ushtria jonë, trashëgimitarja e dinjititetshme e sakrificave të brezave të tërë pasuese e denjë e UÇK-së, me profesionalizëm, përkushtim e guxim, FSK ka treguar se është krenaria e shtetit dhe e gatshme kurdo për ta mbrojtur sovraniteitn dhe integritetin territorial të Kosovës”.
Kurti përmendi emrat e të gjithë figurave kyçe që kanë kontribuar për lirinë e pavarësinë e Kosovës, përfshirë edhe atë të ish-presidentit Hashim Thaçi: “Republika e Kosovës është rezultat i aktit sipëror të brezit më të ri të zgjedhurve të popullit të saj emrat e përveçëm të së cilëve lexohen pas firmave të nënshkruara në deklaratën e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 nga 109 deputetë të Kuvendit si dhe nga krerët shtetërorë të asaj kohe, presidenti Fatmir Sejdiu, kryekuvendari Jakup Krasniqi dhe kryeministri Hashim Thaçi”.
Të pranishëm në parakalimin e ushtrisë dhe policisë së Kosovës ishin edhe përfaqësues të familjes Jashari, Rugova, ambasadorë të vendeve të akredituata si dhe ish-presidentët Fatmir Sejdiu e Atifete Jahjaga. (A2 Televizion)