Kushtetuesja zbardh vendimin, pritet të rinisë seanca për konstituimin e Kuvendit

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 15:18 | Aktualitet

Kushtetuesja zbardh vendimin, pritet të rinisë seanca për

Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi pak minuta më parë aktgjykimin e plotë që pritet t'i hapë rrugë konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Tashme pritet rifillimi i seancës së fundit parlamentare, diçka që deri tani ishte e pamundur për shkak të masës së përkohshme  qe pezullonte vendimmarrjen e Kuvendit.

“Gjykata vendosi: të urdhërojë, me (6 gjashtë) vota për dhe 1 [një] kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutë së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjidhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses të publikuar sot. Gjykata Kushtetuese tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe “rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme”, thuhet në vendim.

Gjithashtu, gjykata tha se “Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës".

Dhjetë ditë më parë, Kushtetuesja e Kosovës dha një vendim që përcaktonte se deputetët e Kuvendit duhet të zgjedhin kryeparlamentarin e ri me votim të hapur, ndërsa një kandidaturë nuk mund të votohet më shumë se tre herë.

Lëvizja Vetëvendosje këmbëngulte deri tani që votimi i kryetarit të ri të Kuvendit të bëhej i fshehtë edhe pse procedura në Kuvend nisi me votë të hapur. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos