Kosova pajiset me autoblinda amerikane, Kurti: Ushtria do zhvillohet krah për krah me SHBA-në

Nga A2 CNN
15 Gusht 2025, 19:16 | Aktualitet

Forca e Sigurisë së Kosovës është pajisur me autoblinda të reja amerikane, ceremonia e dorëzimit të së cilave është realizuar sot në Prishtinë.

Kryeninistri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti njoftoi përmes një postimi në rrjetet sociale se sot janë pranuar autoblindat e reja të prokuruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për ushtrinë e Kosovës.

“Sot isha i nderuar që së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari dhe atasheun e Ushtrisë në ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw, morëm pjesë në ceremoninë e pranim-dorëzimit të autoblindave të prokuruara në ShBA për FSK-në. Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me ShBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”, shkruan Kurti përkah fotove nga ceremonia.

Më tej, kreu i ekzekutivit në Prishtinë nënvizon se ushtria e Kosovës “do të vazhdojë të zhvillohet krahë për krahë me partnerin strategjik”.

Sipas Kurtit, ky zhvillim do të vijojë si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së ShBA-ve. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos