ZRRE: Nga 16 gushti bizneset pa kontratë do të shkëputen nga rrjeti energjetik

Nga A2 CNN
13 Gusht 2025, 12:21 | Aktualitet

ZRRE: Nga 16 gushti bizneset pa kontratë do të shkëputen nga

Të gjitha bizneset që nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë e Kosovës (ZRRE), do të shkëputën nga rrjeti energjetik nga 16 gushti, njoftoi rregullatori i energjisë të mërkurën.

ZRRE-ja tha se e ka marrë vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, e cila e pranoi ankesën e rregullatorit ndaj padisë për shtyrjen e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

“Ligjshmëria e këtij procesi po konfirmohet nga gjykatat kompetente, së fundi edhe nga Gjykata Komerciale - Dhoma Shkalla e Dytë, duke vërtetuar se të gjithë hapat janë ndërmarrë në përputhje me ligjet e aplikueshme në Republikën e Kosovës”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

ZRRE-ja u ankua ndaj vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Komerciale, e cila më 30 korrik e kishte pezulluar përkohësisht vendimin e ZRRE për detyrimin e bizneseve të mëdha për të kaluar në tregun e liberalizuar të energjisë.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë ka hyrë në fuqi më 1 qershor.

Sipas vendimit, të gjitha kompanitë që kanë më shumë se 50 punëtorë, ose qarkullim mbi 10 milionë euro në vit, janë detyruar të kalojnë në tregun e hapur të energjisë.

Për të mos mbetur pa energji, bizneset nga datë 1 qershor deri më 31 korrik, janë furnizuar përkohësisht nga Korporata Energjetike e Kosovës, në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit.

Në Kosovë janë mbi 1.300 biznese të tilla.

Të mërkurën, ZRRE-ja u bëri thirrje të gjitha bizneseve që t’i plotësojnë kushtet për të lidhur kontratë më ndonjë kompani të licencuar për t’u furnizuar më energji, ndryshe do të shkëputen nga rrjeti energjetik.

“Sepse nga data e 16.08.2025 konsumatorët komercial të cilët nuk kanë nënshkruar kontratë komerciale me një nga furnizuesit e licencuar do të ndërpriten nga rrjeti energjetik”, thuhet në njoftim.

Aktualisht, në Kosovë janë të licencuara 22 kompani për tregtim me energji, ndërsa tre të tjera janë në proces të licencimit.

Në mesin e tyre përfshihet edhe Operatori për Furnizim me Energji Elektrike (KESCO) dhe KEK-u.

Deri më 31 korrik, mbi 250 biznese private kanë nënshkruar kontratë me KESCO-n, ndërkohë që janë në pritje edhe dhjetëra kërkesa të tjera.

Ndërkaq, me KEK-un kontrata kanë lidhur 53 kompani.

Oda Ekonomike e Kosovës dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë kanë thënë të martën se e kanë pranuar me shqetësim vendimin e shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale.

Oda Ekonomike e Kosovës ka thënë se do ta vazhdojë betejën përmes mjeteve ligjore që i ka dispozicion./REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos