Kuvendi miraton dërgimin e FSK-së në Gazë

Nga A2 CNN
17 Prill 2026, 17:55 | Aktualitet

Kuvendi miraton dërgimin e FSK-së në Gazë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë miratuar të premten propozimin e Qeverisë për dërgimin e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës në Gazë, në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese.

Propozimi - për të cilin nevojiteshin një shumicë votash prej 2/3 - kaloi me 89 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Për të hyrë në fuqi, ky vendim tani duhet të nënshkruhet nga presidenti i Kosovës, në këtë rast ushtruesja e detyrës së presidentit, Albulena Haxhiu, e cila vjen nga partia në pushtet, përcjell A2.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se ky vendim forcon edhe më tej profilin ndërkombëtar të Kosovës, afirmon profesionalizmin e FSK-së dhe vendosë vendin në mesin e shteteve, që jo vetëm që përfitojnë nga siguria ndërkombëtare, por edhe kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe rendit ndërkombëtar.

“Përmes këtij angazhimi, Kosova dëshmon që është partner i besueshëm, i përgjegjshëm dhe i gatshëm të veprojë krah aleatëve në mbështetje të paqes, sigurisë, mbrojtjes ë civileve dhe mandateve ndërkombëtare”, tha ministri Maqedonci.

Më 30 mars, Qeveria e miratoi propozimin e Ministrisë së Mbrojtjes për dërgimin e pjesëtarëve të FSK-së në Gazë.

Dërgimi i trupave të FSK-së parashihet të bëhet në kuadër të Forcës Ndërkombëtare Stabilizuese (FNS), një mekanizëm i krijuar si pjesë e nismës së ashtuquajtur Bordi i Paqes, i propozuar nga presidenti amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në botë.

Kosova është në mesin e pesë shteteve të para – së bashku me Indonezinë, Marokun, Kazakistanin dhe Shqipërinë – që janë zotuar për angazhim në këtë mision, me qëllim ofrimin e sigurisë dhe mbikëqyrjen e armëpushimit në Rripin e Gazës.

Megjithatë, ende nuk dihet se kur saktësisht do të ndodhë dislokimi i trupave dhe sa do të jetë numri i tyre.

Përveç autorizimit për dërgimin e trupave, Kuvendi duhet të miratojë edhe marrëveshjen për anëtarësimin e Kosovës në Bordin e Paqes.

Ish-presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka qenë ndër themelueset e Bordit të Paqes, e ka mbështetur publikisht këtë nismë. Mandati i saj presidencial përfundoi më 4 prill.

Sipas raportimeve të transmetuesit publik izraelit KAN, Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të nisë angazhimin në Gazë nga muaji maj, përfshirë edhe dhjetëra ushtarë nga Kosova, megjithëse institucionet në Prishtinë nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht këtë afat.

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka deklaruar më herët se fillimisht planifikohet dërgimi i mbi 20 ushtarëve të specializuar në fusha të ndryshme, përfshirë njësitë për deminim dhe eliminim të mjeteve të pashpërthyera (EOD), operacione speciale, planifikim dhe ekipe mjekësore.

Zyrtarët e ministrisë kanë bërë të ditur se janë në koordinim të vazhdueshëm me strukturat e FNS-së dhe se është caktuar edhe një ushtarak ndërlidhës për përgatitjen e dislokimit.

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese pritet të ketë për detyrë stabilizimin e situatës së sigurisë në Gazë, pas luftës që nisi në tetor të vitit 2023, kur Hamasi – i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – sulmoi Izraelin, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë pengje.

Sulmet pasuese izraelite në Gazë shkaktuan dhjetëra mijëra viktima, krizë humanitare dhe dëme të mëdha materiale.

Plani për krijimin e kësaj force është pjesë e një pakoje më të gjerë për arritjen e paqes, e cila është pranuar nga palët në konflikt.

Kjo nuk është hera e parë që FSK-ja dislokohet jashtë vendit. Më 2021, ajo mori pjesë në një mision në Kuvajt në bashkëpunim me forcat amerikane, ndërsa më 2022 në Ishujt Falkland, në bashkëpunim me Mbretërinë e Bashkuar.

FSK-ja është aktualisht në proces të shndërrimit në ushtri të plotë, proces që pritet të përfundojë deri në vitin 2028.

Si për këto misione, ashtu edhe për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare Stabilizuese për Gazën, dërgimi i FSK-së jashtë vendit bëhet në bazë të Ligjit për dërgimin e kësaj force jashtë vendit.

Ky ligj, parasheh që dërgimi i FSK-së në misione jashtë vendit bëhet në bazë të ndonjë marrëveshjeje dypalëshe me shtetin pritës apo në kuadër të ftesës nga ndonjë organizatë ndërkombëtare, apo me ndonjë rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ligji parasheh edhe aspekte të tjera të pjesëmarrjes së FSK-së në misione jashtë vendit. Shembull, aty thuhet se para dërgimit në misione, FSK-ja duhet të kryejë stërvitje e përgatitje. Po ashtu, ligji parasheh që mbulimi i shpenzimeve të bëhet nga buxheti i vendit, por edhe nga organizata ndërkombëtare e shtete të tjera, në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare apo ndërinstitucionale.

Po ashtu, aty caktohet edhe kur tërhiqet FSK-ja nga misione jashtë vendit. Tërheqja mund të bëhet kurdo kur vlerësohet se me këtë vendim mbrohen interesat e Kosovës. FSK-ja mund të tërhiqet edhe në rrethana të jashtëzakonshme, thuhet në ligj, dhe këtë vendim e merr presidenti i shtetit.

Përveç misioneve jashtë vendit, FSK-ja ka marrë pjesë edhe në operacione të kërkim-shpëtimit dhe misione të tjera me karakter humanitar. Rasti i fundit që një kontingjent u dërgua jashtë vendit në mision humanitar ishte në janar të këtij viti, ku ushtarët kosovarë u përfshin në kërkimin e një personi në Shqipëri.

Po ashtu, pjesëtarë të FSK-së marrin pjesë në trajnime jashtë vendit në kuadër të bashkëpunimit me shtete të ndryshme. Shembull, në muajin dhjetor 2025, pjesëtarë të operacioneve speciale të FSK-së, në bashkëpunim me ushtrinë e Mbretërisë së Bashkuar kryen trajnime në xhunglat tropikale të shtetit të Belizës.

FSK-ja po ashtu merr pjesë në trajnime të ndryshme me ushtrinë amerikane dhe ka partneritet të ngushtë me Gardën Kombëtare të shtetit amerikan të Ajovës./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos