Pas protestave dhe premtimeve politike për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, nisma e miratuar në Kuvendin e Kosovës nuk arriti të hyjë në fuqi. Presidentja e ktheu ligjin për rishqyrtim, ndërsa përpjekjet për ta proceduar më tej dështuan. Tani, Lëvizja Vetëvendosje dhe PDK-ja janë pajtuar që në vend të tij të hartojnë një Projektligj të ri.
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, thotë se mandati dhe fushëveprimi i Dhomave të Specializuara nuk mund të preken direkt as përmes nismës së re ligjore. Sipas tij Kuvendi mund të marrë rol më aktiv në adresimin e shqetësimeve për funksionimin e saj.
“Në mirëkuptim me partnerët strategjik dhe kjo do të thotë që po, një ligj eventual që do t’i adresonte këto shqetësime së bashku me aktivitetet intensive të grupit të udhëhequr nga Ministri i Jashtëm Konjufca, do të mund të garantonin një qasje të drejtë dhe një detyrim për Dhomën e Apelit që ta trajtoj me seriozitetin maksimal dhe profesionalizmin e duhur secilin rast në Dhomat e Specializuara”.
Analisti Bekim Kabashi vlerëson se nisma e re ligjore piritet të zhvillohet në një klimë më të favorshme politike, ndryshe nga ligji i mëparshëm, i cili sipas tij ishte miratuar në kushte presioni politik, elektoral dhe shoqëror.
“Tani jemi në një situatë më të favorshme, po shkohet në një strategji nacionale dhe mendoj që do të nxirret një ligj më i mirë. Për arsye se do të bëhet në konsultim edhe me partnerët ndërkombëtar”.
Megjithatë, Kabashi shpreh dilema nëse ligji i ri do të ketë efektin e synuar, duke vënë në pikëpyetje mundësinë e ndikimit të Kosovës në punën e Speciales.
“Nuk është e qartë nëse ligji mundet të bëjë efektin të cilin e presim të gjithë dhe kemi dëshirë. Për arsye sepse Gjykata Speciale e ka fituar një autonomi shumë të fuqishme, pothuajse është e pamundshme për të ndikuar më prej Kosovës. Pavarësisht se është themeluar prej Kuvendit të Kosovës, e ligjeve të Kosovës”.
Pas dakordimit mes dy partive, hapi i radhës është hartimi i draftit të ri, i cili, sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe ushtrueses së detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, pritet t’i dorëzohet Kuvendit gjatë javës së ardhshme. (A2 Televizion)