Masat shtrënguese ndaj Kosovës, Borrel dorëzon raportin te vendet e BE

Nga A2 CNN
18 Qershor 2024, 20:09 | Aktualitet

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell ka dorëzuar për vendet anëtare raportin lidhur me masat ndëshkuese të cilat i janë vënë Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar për mediat në Kosovë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Në raport theksohet nëse duhen hequr masat ndaj Kosovës, të vendosura për shkak të përshkallëzimit të tensioneve të situatës në veri të vendit në muajt maj dhe qershor të vitit 2023. Nuk dihet nëse Borrell ka rekomanduar heqjen e masave apo jo.

Diskutimi i parë rreth këtij raporti do të mbahet të mërkurën në nivel të ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Në atë takim nuk pritet të merret ndonjë vendim se si të veprohet për masat. Dorëzimi i këtij raporti, qoftë edhe me rekomandim të qartë, nuk do të thotë se masat hiqen menjëherë. Ky raport do t'iu shërbejë vendeve anëtare për ta rikthyer këtë çështje në agjendë dhe për të filluar shqyrtimin e mundësisë së heqjes së masave në të ardhmen.

Ndonëse ka kaluar një vit, pak dihet se kush është prekur prej këtyre masave. Zyrtarët kanë thënë publikisht se janë pezulluar takimet mes zyrtarëve evropianë dhe atyre të Kosovës, janë pezulluar disa takime në kuadër të procesit të asocim-stabilizimit dhe janë pezulluar prokurimet e reja të projekteve që burojnë nga fondet IPA 2023, Instrumentet e Para-Anëtarësimit, si dhe nuk kanë filluar diskutimet për IPA 2024.

Disa ditë më parë zëvendëskryeministri i Kosovës Besnik Bislimi deklaroi se ka informacione se raporti i Josep Borrellit do të jetë pozitiv dhe do të rekomandohet heqja e masave. Por ishte zëdhënësi i Bashkimit Europian, Peter Stano i cili i hodhi poshtë pretendimet e Bislimit, duke theksuar se asgjë nuk është miratuar. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos