Mbyllet një tjetër institucion paralel në Veri, Vuçeviç: Kurti vazhdon skenarin terrorist kundër serbëve

Nga Rosalba Bejdo
27 Dhjetor 2024, 20:05 | Aktualitet

Mbyllet një tjetër institucion paralel në Veri,

Policia e Kosovës ka mbyllur të premten, një tjetër institucion që vepronte sipas sistemit të Serbisë – Ndërmarrja Publike për Urbanizëm në Mitrovicën e Veriut.

Zëvendësdrejtori i policisë për rajonin e veriut, Veton Elshani tha se policia ka reaguar pas pranimit të informacioneve se një ndërmarrje e tillë gjendet në një ndërtesë banimi afër Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut dhe më pas ky informacion u vërtetua si i saktë.

“Pasi është kontaktuar prokurori i rastit, dokumentet që u gjetën atje u konfiskuan dhe disa persona u intervistuan. Edhe ky rast ka të bëjë me falsifikim dokumentesh”, tha Elshani, duke shtuar se nuk ka të arrestuar.

Kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviç, e dënoi mbylljen e institucionit, duke e akuzuar kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se po përpiqet të “destabilizojë rajonin me lëvizje të njëanshme”.

“Edhe një herë po i shohim pamjet e turpshme të pafuqisë së Kurtit. Ai vazhdon t’i terrorizojë serbët dhe pushimet i shfrytëzon për të vazhduar me skenarin e tij terrorist dhe plaçkitjen e jashtëligjshme të pronave serbe në veri të Kosovës dhe ‘Metohisë’”, shkroi ai në Instagram.

Një ditë më herët u mbyllën dy ndërmarrje publike serbe, që punonin sipas sistemit të Serbisë: Drejtoria për Hapësirën Banesore dhe Biznesore dhe Drejtoria për Tokën Ndërtimore.

Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë që ka mbështetjen e Beogradit, tha se Qeveria e kryeministrit Albin Kurti, po vazhdon me “aksione të paligjshme e përshkallëzuese” në veri të Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos