Kosova përkujton të rënët për liri në Krushë të Madhe. Presidentja Vjosa Osmani, ishte e para që vendosi kurora me lule dhe nderoi të rënët duke theksuar se ky vend nuk është vetëm simbol i dhimbjes, por edhe i qëndresës.
Më pas homazhe bëri edhe kryeministri Albin Kurti. Të dy udhëheqësit, rastin e përkujtimit të 26 vjetorit të masakrës në Krushë të Madhe theksuan se kjo sakrificë e madhe për liri nuk do të harrohet kurrë.
“Masakra e Krushës së Madhe nuk është vetëm një krim i tmerrshëm i para 26 vitesh, është e përditshmja jonë është e sotmja jonë sepse dhimbja vazhdon edhe sot sikurse para 26 vitesh. Ajo është një betejë e hapur për drejtësi, prandaj nuk mund të lejojmë që gjaku i atyre që ishin të pafajshëm të mbetet pa zë e që sakrifica e tyre të harrohet. Ne nuk duhet të heshtim, ne nuk duhet të ndalemi nuk duhet të lejojmë që drejtësia të vonohet pafundësisht sepse drejtësia për Krushën e Madhe është drejtësi për gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë, për heronjtë e UÇK-së dhe për martirët e lirisë”, tha presidentja Osmani.
“Masakra në Krushë të Madhe ishte pjesë e aktakuzës për krime lufte kundër kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviq. Përkundër kësaj drejtësia ende nuk ka vepruar dhe kryesit nuk janë dënuar. Është evidente që ushtarët dhe policët e Serbisë kanë pasur urrejtje të madhe dhe plan të qartë për të kryer krimet ku brenga e tyre më e madhe ka qenë zhdukja e kufomave. Pra zhdukja e gjurmëve të krimit. Zhdukjet me dhunë, rrëmbimet, djegiet dhe hedhja e kufomave në lumë e forma të tjera çnjerëzore të dëmtimit dhe zhdukjes së kufomave janë dëshmi të qarta të këtij projekti gjenocidal”, u shpreh Albin Kurti.
Udhëheqësit e Kosovës homazhet i vazhduan edhe në Krushë të Vogël.
“Forcat serbe nuk u ndalen vetëm me vrasje, ata dogjën trupat për t’i mbuluar gjurmët e krimit, por asnjëherë nuk munden ta fshehin të vërtetën. Nga rrënojat e Krushës së Vogël, nga plagët e saj, nga toka e djegur kanë dalë njerëzit më të fortë, më qëndrestar që mund t’i njeh njerëzimi. Ajo që ndodhi këtu nuk do të harrohet kurrë, jo për hakmarrje, por për të mos u përsëritur asnjëherë. Sot, Krusha ecën përpara, sot Kosova ecën përpara, por asnjëherë duke mos u dorëzuar nga kërkesa dhe puna jonë për drejtësi, drejtësi për të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë tonë”, shtoi Osmani.
“Është çështje urgjente adresimi i krimeve të kryera gjatë luftës, sepse, përderisa këto krime nuk vjetrohen dëshmitarët e këtyre mizorive vit pas viti po plaken e po pakësohen. Përballë një gjenocidi kaq të egër, ka vetëm një përgjigje dinjitoze, të vihet në vend drejtësia si një imperativ moral e universal për çdo viktimë. Masa e krimit atë botë e detyroi NATO-n të ndërhynte. Nuk mund të mos jepet drejtësia për një masë të tillë krimi. Me përgjegjësinë më të lartë institucionale e kombëtare duhet të vazhdojmë më përkushtim adresimin e krimeve të luftës para drejtësisë dhe para historisë. Jam shumë optimist se për siguri e për zhvillim, për demokraci, po ecim e do të ecim edhe më shpejtë përpara, por ajo që na ka ngel mbrapa është drejtësia. Drejtësia ka ngelë prapa pothuajse çdo aspekt, përfshirë këtu adresimin e krimeve të kryera gjatë luftës. Kushtet e punës i kanë, të ardhurat i kanë të mira, por nuk ua jap dot guximin dhe vullnetin”, deklaroi kryeministri.
Në datat 25, 26 dhe 27 mars të vitit 1999, në fshatin Krushë të Rahovecit, forcat serbe masakruan 243 persona. Ndërkaq, 893 shtëpi private dhe shoqërore u shkatërruan nga flakët. (A2 Televizion)