Kryeministri Edi Rama tha se qeveria do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për të kundërshtuar pezullimin e zv.kryeministres Belinda Ballukut nga Gjykata e Posaçme. “Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe në ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë, te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese. Këto jemi ne”, tha Rama në një konferencë për mediat bashkë me Komisioneren e BE për Zgjerimin, Marta Kos, në Tiranë.
Kryeministri tha se maxhoranca socialiste do ta mbrojë pavarësinë e gjyqësorit, edhe kur ajo është arbitrare, sipas tij. “Pavarësia e gjyqësorit nuk është as slogan, as manovër politike dhe as eksperiment i përkohshëm. Por është një shkëputje historike nga e kaluara. Dhe e realizuar vetëm në vitet e fundit, kjo pavarësi ka sjellë një risi absolute në jetën institucionale të Shqipërisë dhe zhvillime të padiskutueshme pozitive. Duke filluar nga një fakt i pamohueshëm, varrosja e kulturës 100 e kusur vjeçare të pandëshkueshmërisë. Por ama ka shfaqur dobësitë e natyrshme të një pushteti të ri. Për mua personalisht, mbrojtja e pavarësisë dhe ruajtja e pavarësisë së sistemit të drejtësisë janë parakushte për çdo qëndrim nga ana jonë, sepse, siç thotë edhe një fjalë e mençur, “kurrë nuk duhet hedhur fëmija, baskë me fjalën e pistë”. Pezullimi nga detyra e një ministri dhe zv.kryeministri është një tjetër shfaqje e atyre dobësive që përmenda më lart, të një pushteti krejt të ri, dhe e reflekseve antidemokratike”, shtoi Rama.
“Ky është një rast unikal në historinë e Europës dhe po ashtu edhe në historinë e trupave speciale të drejtësisë që janë krijuar në proceset e integrimit europian të vendeve gtë ish-Lindjes komuniste, ku s’ka ndodhur kurrë që një prokuror dhe një gjykatës të mblidhen kokë më kokë dhe të pezullojnë nga detyra një anëtar qeverie. Por nëse një prokuror dhe gjykatës special, i shkallës së parë të speciales në Shqipëri, kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenimi i drejtpërdrejtë i një pushteti tjetër të pavarur, zgjedhja jonë në këtë fakt është strategjikja si gjithmonë, për ta ruajtur dhe mbështetur pavarësinë e gjyqësorit si parakusht. Ne nuk mund t’i përgjigjemi një arbitrariteti të këtyre përmasave me asnjë arbitraritet. Por dot ë vazhdojmë me durimin tonë strategjik. Do ta respektojmë pa kushte vendimin e pezullimit të ministres dhe në ndërkohë do të kërkojmë mbrojtjen e pavarësisë së funksionimit të cenuar të qeverisë, te drejtësia, në Gjykatën Kushtetuese. Këto jemi ne. Mbrojtja e pavarësisë së re dhe jo të përkohshme të sistemit të drejtësisë është prioriteti ynë absolut edhe përballë situatave kaq flagrante sa kjo situatë, për të cilën po drejtësia duhet të gjejë përgjigjen kushtetuese”. (A2 Televizion)
