Pezullimi i Ballukut, komisionerja Kos: E rëndësishme është të ndiqen vendimet e gjykatës

Nga A2 CNN
21 Nëntor 2025, 13:07 | Politikë

Pezullimi i Ballukut, komisionerja Kos: E rëndësishme është

Komisionerja e Zgjerimit në Bashkimin Europian, Marta Kos, në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama, u pyet për pezullimin nga detyra të zv/kryeministres Belinda Balluku.

“Nuk mund të komentoj çështje konkrete. Ajo që mund të them është se sistemi i pavarur gjyqësor është një nga arritjet më të mëdha të Shqipërisë në vitet e fundit. Ajo që ka ndodhur në dy vitet e fundit në Shqipëri është e paprecedent. Ne duam që të ketë një sistem ku të ketë siguri ligjore. Kur dikujt i cenohen të drejtat, të ketë gjykata që të kujdesen për këtë çështje. Raste të tilla ndodhin kudo, e rëndësishme është të ndiqen vendimet e gjykatës”, tha Kos.

Ndërsa kryeministri Edi Rama u shpreh: “Pezullimi është vendim i një gjykate, që ne do ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese si një akt brutal ndërhyrjeje në pavarësinë e pushtetit ekzekutiv dhe Gjykata Kushtetuese do duhet të na thotë qëndrimin e saj bazuar në Kushtetutë. Nuk jemi në kushtet kur duke ndërhyrë me forcë në pavarësinë e ekzekutivit mund të diktohet ndonjë lëvizje e qeverisë. Kështu që, për periudhën që flasim, qeveria e Shqipërisë nuk ka zv/kryeministër dhe ministër të Infrastrukturës që funksionon. Kaq”.

Rama shtoi se “nuk bën vaki në BE që njerëzit të pezullohen nga funksionet, është unike në historinë e Europës kjo”.

“Nuk bën vaki në BE që kryebashkiakët të dërgohen në burg pa gjyq dhe të mbahen për muaj të tërë në paraburgim. Nuk bën vaki në BE që një vend të ketë më shumë të paraburgosur sesa njerëz të burgosur me gjyq. Kështu që, në këtë pikë unë besoj se të gjithë duhet të bëjmë punën dhe të luajmë rolin tonë. Ne kemi rolin tonë, që të jemi garant të pavarësisë së drejtësisë, që Shqipëria po e njeh për herë të parë në historinë e vet. Nuk duhet të hyhet në territorin e një pushteti tjetër të pavarur. Kjo vlen për të gjithë. Kultura e gjyqeve popullore, për të dhënë dënime bazuar mbi sekrete hetimore të nxjerra nga vetë prokurorët, duhet ta luftojmë të gjithë se nuk i bën mirë askujt. Ne jemi garantët e pavarësisë së gjyqësorit, me çdo çmim. Këtë rrugë kemi zgjedhur dhe vetëm kështu mund të arrijmë objektivin e anëtarësimit në BE”, theksoi Edi Rama. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos