Ministri Maqedonci në A2 CNN: Sa kohë Radoiçiç është i lirë, veriu nuk është i qetë

Nga A2 CNN
11 Shtator 2024, 19:50 | Aktualitet

“Përderisa grupi i Radoiçiç vazhdon të mbetet i lirë në Serbi, përderisa politika e Serbisë inkurajon grupe të tilla, situata mbetet e brishtë në veri të vendit”.

Kështu u shpreh në Ditarin e pasdites nga Bruna Çifligu në A2 CNN ministri i Mbrojtjes së Kosovës, Ejup Maqedonci. Megjithatë, ai theksoi se sot Kosova ka arritur të shtrijë sovranitetin në veri dhe aktualisht situata është e qetë aty, transmeton A2 CNN.

“Është një lajm i mirë ngritja e aktakuzës ndaj grupit të Banjskës sepse Kosova me të vërtetë nuk ka ekzagjeruar kur ka paraqitur kërcënimet dhe rreziqet që kanë ardhur nga Serbia dhe nga këto grupe terroriste në veri. Për disa vite me radhë nga institucionet tona është theksuar rreziku që mund të vijë nga këto grupe. Sot, vigjilenca është shumë e lartë. 24 Shtatori nuk na ka mësuar vetëm ne por edhe ndërkombëtarët, që aspekti i sigurisë në Ballkanin Perëndimor është i dobët, përderisa ekzistojnë shtete që synojnë okupimin e vendeve të tjera, siç është Serbia. Gati 70% e kapaciteteve ushtarake të Serbisë janë të vendosura në jug të territorit të saj, jo larg kufirit dhe inkurajohen grupe të tilla si ai i Radoiçiç për të kryer sulme terroriste ndaj vendit tonë.

Kjo qasje e Serbisë nuk është vetëm në raport me Kosovën, por edhe me Bosnjën dhe ndikimi që kanë në situatën e sigurisë në Malin e Zi. Derisa ekziston kjo qasje e Serbisë, normalisht që rreziku është prezent dhe vigjilenca prej nesh dhe partnerëve tanë është rritur.

Në periudhën e fundit kemi pasur për herë të parë një shtrirje të sovranitetit në veri. Janë mbyllur institucionet ilegale dhe jeta e komunitetit serb është qetësuar jashtëzakonisht shumë. Normalisht që grupe të ndryshme që operojnë në Serbi vazhdojnë të kërcënojë sigurinë dhe rendin e territorit tonë, mirëpo situata në veri të vendit, pavarësisht tensioneve, është shumë më stabile dhe e qetë”, u shpreh ministri Maqedonci.

Maqedonci zbulon detaje nga plani Kombëtar i Mbrojtjes: Si vendet Baltike

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, foli në Ditarin e Pasdites në A2 CNN edhe për Programin Kombëtar për Mbrojtjen Gjithëpërfshirëse, i cili u miratua këtë të mërkurë nga qeveria e Kosovës. Maqedonci theksoi se në këtë program do të kenë një rol të rëndësishëm qytetarët.

“Në të gjitha vendet e NATO-s janë duke i rishikuar sistemet e mbrojtjes dhe sigurisë. Gjatë këtij viti, një ndër prioritetet e mia ka qenë programi dhe në mbledhjen e sotme ky program u miratua dhe zbatimi i tij do të bëhet pasi të jenë gati të gjitha dokumentet e tjera përkatëse, transmeton A2.

Mbrojtja gjithëpërfshirëse është strategji qeveritare që përfshin qasjen mbarë shoqërore në të gjithë sistemin e mbrojtjes dhe ruajtjen e interesave jetike të vendit dhe qytetarëve. Koncepti i mbrojtjes gjithëpërfshirëse nuk është një zëvendësim i sistemit të detyrueshëm, por një koncept i veçantë, që praktikohet në vendet e ndryshme të NATO-s, veçanërisht në vendet Baltike, por edhe në vendet e tjera. Përmes këtij programi, ne iu japim mundësinë të gjithë qytetarëve që të jenë pjesë e sistemit të mbrojtjes së Kosovës në baza vullnetare”, u shpreh Maqedonci. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos