
Që prej 16 shtatorit, sheshi “Skënderbeu” në Prishtinë nuk ka heshtur nga protestat. Të rinj, studentë, familje, veteranë, por edhe qytetarë të tjerë dalin për të kundërshtuar aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së. Për sociologun Bekim Selishta pjesëmarrja pa dallime politike apo moshe tregon ndërgjegjen kombëtare.
“Duke filluar fëmijët prej shkollës fillore e të mesme dhe studentët e universitetit, e kanë ndje që është bërë një padrejtësi shumë e madhe. Realisht kur edhe fëmija e kupton këtë realitet se çka po ndodhë te ne, kjo tregon që nuk vyen shumë me u kuptua që aty janë shkelë të gjitha të drejtat e njeriut ose të një të burgosurit. Ne si të rritur ndonjëherë mundemi të bëjmë gabime, të anojmë ose me marrë pozicion, por një fëmijë nuk merr pozicione se nuk i intereson. Ai e sheh të drejtën dhe të padrejtën.”
Për Selishtën pjesëmarrja masive e të rinjve është shenj që vendi kërkon ndryshim.
“Ky unifikim tregon që në këtë rast janë të interesuar të bëjnë ndryshime. Kur të rinjtë i sheh duke protestuar, realisht shumë shpesh kam dalë në protesta, jam emocionuar kur i kam parë gjeneratat e reja duke bërtitur në emër të UÇK-së, në emër të luftës, në emër të krerëve të UÇK-së që ndoshta ne nuk e kishim atë forcën sa e kishin gjeneratat e reja. Ne mundemi ndonjëherë të revoltohemi, jemi popull që dimë të revoltohemi edhe me pasë kërkesa, por në këtë rast ne duhet të mësohemi t’i respektojmë vlerat e kombit”.
Gjykata Speciale dënoi me 81 vite burg në total Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin, Kadri Veselin dhe Rexhep Selimin. Ndaj tyre në seancë u deklarua rrëzimi i akuzës për krime kundër njerëzimit. (A2 Televizion)