
Sali Berisha, pas daljes nga SPAK, deklaroi për mediat se arsyeja e ndryshimeve të fundit ligjore janë "telefonat e Ramës, mesazhet e Edi Ramës, mesazhet e Linda Ramës, mesazhet e Olsi Ramës".
"Se tani çfarë ka ndodhur? Ergys Agasi, Ermal Beqiri, Vlora Hyseni dhe i gjithë enturazhi po e kuptojnë që i ka shitur Edi Rama.
I pabesi besë nuk ka. Edhe ai nuk mund të jetë i pabesë vetëm me mua, po qe i pabesë ndaj meje, është i pabesë ndaj të gjithëve. Pra, pabesia nuk është selektive. Pra, ky i ka shitur dhe ata kanë filluar të flasin. Ata e kuptuan që i kishte dhënë të gjitha porositë, të gjitha garancitë, ky njeri i lëshoi në duart e policisë. Dhe ky tani për të zhvlerësuar qindra mesazhe e dokumente të tyre që i ka ky, shkëmbimet me Roni Yeffet, me Ermal Beqirin, me Vlora Hysenin dhe të tjerët në grupin e strukturuar kriminal, për të çliruar veten nga këto... Pra, është e tëra për të shpëtuar Edi Ramën nga provat të cilat nuk mund t’i zhvlerësojë kurrë", tha Berisha, shkruan A2.
"Prisni, në Këshillin e Evropës, me zyrtarët e lartë me të cilët unë bisedova, shtrova problemin se ky u përpoq t’i zhvlerësonte këto me Gjykatë Kushtetuese. Nëqoftëse u kujtohet, u dërguan regjistrimet e dosjes Metamorfoza dhe po të merrnin ato goditje, do merrnin të gjitha. U dhanë dhe miliona, miliona euro aty, u bë një turp i madh, se ç’u bë, nuk u mor vesh, por në fund dështoi në atë përpjekje. Dhe tani do të bëjë ligjin t’i zhvlerësojë me ligj. Kjo është e gjitha. Por, heshtja e tyre i inkriminon nga i pari tek i fundit", shtoi kreu demokrat. (A2 Televizion)