
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, deklaroi se grupi do të votojë projektligjin për reformën territoriale, pasi të përfundojë shqyrtimi i tij në Komisionin e Ligjeve. Në një deklaratë për mediat, Balla tha se gjatë mbledhjes së grupit parlamentar janë dhënë sqarime nga Arbjan Mazniku për shqetësimet e ngritura nga deputetët lidhur me projektligjin.
Balla theksoi se vota pro e socialistëve është pjesë e vendimmarrjeve politike, për të cilat kërkohet prania e të gjithë deputetëve të grupit parlamentar.
“Në mbledhjen e grupit parlamentar, nga kolegu Mazniku, që ka drejtuar Komisionin e Posaçëm, janë dhënë përgjigje mbi disa sqarime të ngritura nga kolegë të grupit mbi projektligjin për reformën administrativo-territoriale. Vendimi i grupit është që, sapo të përmbyllet në Komisionin e Ligjeve, ky projektligj të kalojë për votim në seancë plenare PS-së. Vota pro e grupit parlamentar të PS-së hyn në ato vendimmarrje politike për të cilat kërkohet që të gjithë deputetët të jenë prezentë dhe të votojnë”, tha Balla.
Sipas tij, qëllimi është krijimi i bashkive më të forta dhe me të ardhura më të larta, ndërsa diskutimet e deputetëve në grup parlamentar pasohen nga vendimi politik.
“Secili ka shqetësimet e veta. Një është të kesh diskutimet, një është për votimet e grupit parlamentar. Sot dhe nesër, duhet t’i përmbahemi kalendarit, për votimin në datën 8. Të gjithë deputetët do të votojnë pro. PS në Kuvendin e Shqipërisë, për reforma që ka nevojë vendi, rruga drejt anëtarësimit në BE kërkojnë vendimmarrje të vështira. Na duhen bashki të forta. Nuk është vetëm Shqipëria që duhet të ndërmarrë këto hapa. Bashkitë më të mëdha krijojnë më shumë të ardhura. Qëllimi është që të kemi bashki me të ardhura më të larta. Në mbledhje të Grupit Parlamentar deputetët japin mendimin e tyre, por më pas është vendimi politik”, theksoi ai. (A2 Televizion)