Komandanti i KFOR-it, gjenerali italian Enrico Barduani, ka prekur situatën aktuale të sigurisë në Kosovë ku ka theksuar se situata e sigurisë në Kosovë është ende e qetë, por e brishtë. Ai ka shtuar se kjo situatë e brishtë vjen për shkak të çështjeve të pazgjidhura në dialog mes Kosovës dhe Serbisë. Në një intervistë për median serbe Kosovo-Online, Barduani ka bërë të ditur se KFOR mbetet përherë vigjilent për situatën në tërë Republikën e Kosovës.
“Situata e sigurisë në Kosovë mbetet e qetë, por e brishtë për shkak të disa faktorëve kufizues, duke përfshirë çështjet e pazgjidhura në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe përhapjen e qëllimshme të dezinformatave. KFOR-i mbetet vigjilent dhe mban një prani të dukshme dhe fleksibël në të gjithë Kosovën”, u shpreh Enrico Barduani.
Në intervistën e tij, Barduani tha se, KFOR nuk dërgoi ushtrinë në veri gjatë shpërthimit në kanalin e Ibër-Lepencit, pasi sipas tij, kjo situatë u menaxhua mjaft mirë nga policia e Kosoës.
“Në përputhje me marrëveshjen NATO-Kosovë të vitit 2013, çdo mision i mundshëm i Forcave të Sigurisë së Kosovës në veri të Kosovës kërkon miratimin paraprak të komandantit të KFOR-it. Në bazë të vlerësimit të sigurisë dhe veprimeve të vazhdueshme të KFOR-it, nuk kam dhënë autorizim të tillë sepse situata është menaxhuar efektivisht nga Policia e Kosovës, me mbështetjen e EULEX-it dhe KFOR-it”, u shpreh Enrico Barduani, raporton A2 CNN.
Në lidhje me hapjen e Urës mbi lumin Ibër, Komandanti i KFOR tha se për momentin një iniciativë e tillë është e panevojshme.
“Sa i përket urës në lumin Ibër, qëndrimi i NATO-s dhe KFOR-it ishte i qartë, transparent dhe konsistent. Për shkak të çështjeve të pazgjidhura politike, hapja e urës në këtë kohë do t'i vendoste ushtarët e KFOR-it dhe komunitetet lokale në një rrezik të papranueshëm dhe të panevojshëm të dhunës”, theksoi komandant i KFOR në Kosovë, shkruan A2 CNN.
Në të ardhmen, KFOR-i do të vazhdojë të ofrojë mbështetje shtesë sipas nevojës, duke mbajtur një koordinim të ngushtë me institucionet në Kosovë”, ka thënë Borduani për Kosova Online.
(A2 Televizion)