Paralajmërimet për sulme, Maqedonci: Ushtria jonë më e fuqishme se kurrë më parë

Nga Ideal Gola
30 Dhjetor 2024, 15:22 | Aktualitet

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, deklaroi se ushtria e Kosovës është më e fuqishme se kurrë më parë dhe institucionet e sigurisë janë të gatshme të përballen me çfarëdo kërcënimi pas paralajmërimeve se mund të ketë akte të tjera gjatë festave të fundvitit.

Në një konferencë me gazetarë, Maqedonci shpalosi punën gjatë këtij viti duke theksuar se kanë investuar në arsenalin ushtarak, rritjen e ushtarëve dhe ndërtimin profesional të ushtarakëve përmes trajnimeve.

“Ushtria jonë sot është me fuqishme se kurrë, është më e pajisur se kurrë, më e përgatitur dhe më e trajnuar se kurrë dhe më e kompletuar me personel se kurrë më parë dhe më e gatshme për të mbrojtur sovranitetin dhe territorin e vendit tonë për të mbështetur autoritetet civile në rast të fatkeqësive natyrore si dhe për të marr pjesë në operacione ndërkombëtare bashkë me aleatët tanë.”

Maqedonci tha se gjatë këtyre katër viteve jenë investuar mbi 270 milionë euro në ushtri, ndërsa tha se kanë përmbushur 100% edhe buxhetin e paraparë për vitin 2024.  Në lidhje me situatën aktuale të sigurisë dhe paralajmërimeve për sulme, Maqedonci tha se institucionet e shtetit të Kosovës janë të afta të garantojnë siguri.

“Ne si vend, si qeveri, si institucione garantojmë siguri, kemi institucione të përgatitura dhe të gatshme për t’u përballur me çdo sfidë dhe kërcënim dhe aspak nuk ka pasur si qëllim asnjë deklaratë e jona që të ndjell panik apo frikë, qëllimi është që të jemi transparent me qytetarët.”

Pajisja me dronë, pagesat për sistemin anti-tank “Javelin” si dhe nënshkrimi i marrëveshjeve me prodhuesin turk MKE për fabrikën e municionit u përmend si ndër të arritura. Ndërsa ende po shqyrtohet lokacioni për fabrikën e municionit, ende nuk ka ndonjë zhvillim në lidhje me prodhimin e dronëve.

“Aktualisht jemi në fazën e identifikimit të partnerëve për mundësinë e hapjes së laboratorit për dizajnimin e dronëve, hapja e së cilës do të mundësojë që vendi ynë të bëhet prodhues i dronëve gjithmonë për nevojat e brendshme pastaj edhe për mundësinë për të eksportuar jashtë vendit.”

Gjatë vitit 2025 kur do të mbahet Defender Europe, FSK do të validojë edhe regjimentin e tretë të këmbësorisë dhe kështu do të përmbyll fazën e dytë nga tre sa janë gjithsej të tranzicionit të saj në Forca të Armatosura.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos