Me pranga në duar hynë në sallë. Dy shqiptarët e Kosovës që akuzohen për spiunazh në favor të Agjencisë Serbe të Sigurisë dhe Informacionit (BIA), Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, në seancën e shqyrtimit fillestar u pyetën fillimisht se si deklarohen.
“I nderuar gjykatës plotësisht jam i pafajshëm”, tha Shabani.
“Nuk e pranoj fajësinë për veprën penale spiunazh, kurse për armëmbajtje pa leje e pranoj fajësinë“, tha Qerimi.
Prokurorja e rastit, Fikrije Fejzullahu kërkoi nga trupi gjykues që ta pranojë fajësinë e Qerimit për veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
“Ky pranim duhet të pranohet dhe propozon gjykatës që të merr aktvendim për pranimin e fajësisë, meqë ky pranim fajësie është në përputhje me dispozitat procedurale filluar nga fakti se që nga fillimi ka pasur mbrojtje dhe ka pas mundësinë që mjaftueshëm të konsultohet me të”, tha prokurorja Fikrije Fejzullahu.
Avokati mbrojtës i Qerimit, Betim Shala, u pajtua me pranimin e fajësisë nga ana e klientit të tij lidhur me veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Pas këtij zhvillimi, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri miratoi pranimin e fajësisë nga ky i akuzuar.
“Në raport me të akuzuarin Muharrem Qerimi për veprën penale për të cilën është pranuar fajësia kryetari i turpit gjykues në pajtim me neni 242 paragrafi 8.1 nxjerr këtë aktvendim shtyhet shpallja e aktgjykimit për të akuzuarin Muharrem Qerimi për veprën penale ‘mbajtjen në pronësi, kontroll ose posedim të armëve’ deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor në këtë çështje penale”, tha kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri.
Trupi gjykues njoftoi se për veprën e spiunazhit palët kanë të drejtë në afat prej 15 ditësh të paraqesin kundërshtimin e provave apo kërkesë për rrëzimin e aktakuzës.
Seanca e kaluar e shqyrtimit fillestar në këtë rast gjyqësor ishte ndërprerë me kërkesë të të akuzuarit, Bedri Shabani i cili kërkoi afat shtesë për lexim të aktakuzës. Prokuroria Speciale e Kosovës më 19 shkurt 2025 ka ngritur aktakuzë ndaj Bedri Shabanit dhe Muharrem Qerimit, të cilët i ngarkon se kanë mbledhur dhe dërguar informacione e dokumente tek BIA serbe lidhur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, eprorët e pjesëtarët e saj, Policinë, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë e Inspektoratin Policor të Kosovës, si dhe përngjarje e objekte specifike, përfshirë edhe një masakër. (A2 Televizion)